Kuvendi Komunal i Rahovecit ka zgjedhur Arbër Zenunin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si kryesues të ri, pak ditë pas shkarkimit nga kjo pozitë të Defrim Kafexhiut të Lëvizjes Vetëvendosje.
Zenuni mori 17 vota nga 18 asamblistë, ndërsa një votë ishte e pavlefshme. Votimi u bojkotua nga këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Para procesit të votimit, ish-kryesuesi Defrim Kafexhiu, deklaroi se është e pakuptueshme nxitimi për të zgjedhur kryesuesin e ri duke qenë se vendimi për të shkarkuar atë ende nuk ka hyrë në fuqi.
Sipas tij, vendimi për shkarkimin e tij ende nuk është dërguar as në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ku kjo ministri ka afat 15 ditë për të shqyrtuar ligjshmërinë e aktit të Kuvendit Komunal.
“Një vendim i Kuvendit Komunal, hyn në fuqi 15 ditë pasi dërgohet në autoritetin mbikëqyrës, në këtë rast në MAPL (Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal). Besoj që kjo nguti është e panevojshme, vullneti i shumicës respektohet sikurse sot, sikurse pas 15 ditësh, dhe afati për zgjedhjen e kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal është 30 ditë, nuk besoj që ka nevojë për këtë nguti dhe po ju thërras që të mos bëjmë shkelje si Kuvend Komunal”, deklaroi Kafexhiu.
Mirëpo, zyrtari ligjor i Kuvendit Komunal të Rahovecit ka siguruar se janë konsultuar me Ministrinë e Administrimit dhe gjithçka është në rregull.
Shefi i asamblistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Hasan Përboqi, duke propozuar emrin e Zenunit për kryesues të ri, tha se Arbëri do t’i jap shumë Rahovecit.
“Besojmë që Arbri është një kandidat i pranueshëm nga të gjithë. Arbëri vjen nga një familje që ka dhënë gjithçka për Kosovën kur Kosova i kishte ditët e saj më të vështira. Ne besojmë se në liri e demokraci edhe Arbëri ka shumë për t’i dhënë kësaj Kosove e këtij Rahoveci nga përgatitja e tij profesionale”, tha Përboqi.
Pas zgjedhjes së tij, Zenuni tha se do të punojë ngushtë me të gjithë subjektet për të garantuar një dinamikë të re në punën e Kuvendit Komunal të Rahovecit.
“I vetëdijshëm për punën e madhe që na pret në të ardhmen jam i gatshëm të punoj ngushtë me të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuese në Kuvend dhe me të gjithë këshilltarët veç e veç pa dallime… Prioritet i imi në këtë pjesë të mbetur të këtij mandati do të jetë funksionimi më i mirë i Kuvendit së bashku e të gjitha trupat e tij punues duke garantuar një dinamikë të re dhe transparencë të plotë për të gjithë qytetarët”, tha Zenuni.
Pas zgjedhjes së kryesuesit, Kuvendi Komunal i Rahovecit mbylli punimet e seancës së jashtëzakonshme.