UBT News

​Kërkohet paraburgim ndaj pesë kamarierëve që shpërndanin para të falsifikuara

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Sipas kërkesës, i pandehuri B.B., gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur i shet të pandehurit T.P., 1,250 euro të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 euro duke i paguar në mënyra periodike.

“Herën e parë për 300 euro falso paguan 200 euro origjinale, ndërsa herën e dytë për 400 euro) falso paguan 300 origjinale, derisa në herën e tretë për 550 euro falso paguan 400 euro origjinal, ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1,250 euro falso. Në këtë mënyrë B.B., ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”. Ndërsa, të pandehurit: T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë periudhës së muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar nga i pandehuri B.B., në intervale të ndryshme kohore i pandehuri T.P., ia dorëzon kolegëve të tij – këtu të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, ashtu që i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘’VË Polo’’, e parkuar në bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë i njëjti së bashku me kolegët e tij – të pandehurit: V.Z., L.E., dhe A.P., në mënyra periodike marrin nga 100 euro të falsifikuara – të gjitha në monedha metalike nga 2 euro dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin në fjalë, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 euro origjinale në pjesë të barabarta, me ç’rast policia e Kosovës pas zbatimit të urdhër-kontrollit arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 euro në veturën ‘’VË Polo’’, në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër të konsiderueshme parash të falsifikuara nga 2 euro nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve, me ç’rast në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro falso. Në këtë mënyrë, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit e lartëcekur, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera hetimore.

Exit mobile version