Në 22-vjetorin e masakrës serbe në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, autoritetet komunale kanë vendosur lule dhe kanë bërë homazhe te lapidari me emrat e viktimave që u vranë nga paramilitarët serbë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimave dhe një numër i qytetarëve, të cilët thanë se nuk ndihen të qetë derisa të vihet drejtësia në vend.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se sot është dhimbje e madhe për familjarët dhe qytetin e Mitrovicës në përgjithësi. Ai kërkoi nga niveli qendror që të punojë në drejtim të vënies së drejtësisë për këta martirë, në mënyrë që të kapen të gjithë ata që kryen krimin më 14 prill të vitit 1999.
“Sot jemi ardhur këtu për t’i nderuar ata që u vranë padrejtësisht dhe në mënyrën më barbare. Serbët i ndanë nga familjet e tyre njerëzit më të devotshëm të qytetit tona. Prandaj ne si institucione komunale, kërkojmë nga niveli qendror, qeveria e Kosovës, kryetarja, por edhe nga kryeministri Albin Kurti, që të kërkojë drejtësi për këta qytetarë”, ka thënë Bahtiri.
I dëshpëruar për shkak të mos vënies së drejtësisë në vend, Fisnik Sejdiu, i cili në këtë masakër kishte humbur babain, axhën dhe djalin e axhës, u shpreh i pakënaqur me drejtësinë. Sipas tij, që 22 vite kriminelët e kësaj masakre vazhdojnë të jenë të lirë.
“Në këtë lagje ka ndodhur masakra më e madhe në Mitrovicë. 31 dëshmorë janë ekzekutuar pa faj. Falangat serbe, së bashku me fqinjët kriminelë, kanë ardhur na kanë dëbuar nga shtëpitë tona pa asnjë faj, veç pse kemi folur shqip. Tash edhe pas 22 vitesh ata kriminelë qëndrojnë të lirë. Me drejtësinë nuk jemi të kënaqur, shpresoj që do të merren masa ndaj kriminelëve dhe të marrin dënimin për atë që kanë bërë ndaj popullit tonë të pafajshëm”, theksoi Sejdiu.
Ndërkaq, Bajram Çerkini, kryetar i Shoqatës së të pagjeturve në Mitrovicë, ka përshkruar me pak fjalë ngjarjen tronditëse të asaj dite.
“Forcat serbe çetnike kanë ardhur dhe i kanë nxjerrë prej shtëpive duke i masakruar dhe dërguar dy-tre kilometra larg nga këtu, ku më vonë janë gjetur”, tha Çerkini.
Ai ka apeluar tek institucionet komunale që të marrin vendim dhe të caktojnë 15 prillin si datë unifikuese për shënimin e të gjitha masakrave që kanë ndodhur në Mitrovicë.
Ndryshe, më 14 prill 1999 forcat serbe dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre shumë qytetarë shqiptarë të lagjes ‘Bair’ në Mitrovicë, duke i ndarë meshkujt, dhe duke i ekzekutuar 31 prej tyre në rrugën e Kovaçëve, që njëherit njihet si masakra më e madhe në këtë qytet.