Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se, në fokus të këtij takimi, ishte edhe diskutimi për ndryshimet në Kodin e Ri të Procedurës Penale, risitë që janë futur në këtë Kod dhe përgatitjet e institucionit të Prokurorit të Shtetit për zbatimin sa më efikas të tij.
“Njoftimi për së afërmi me gjendjen aktuale në secilën prokurori veç e veç, përkatësisht, adresimi dhe diskutimi i përbashkët lidhur me sfidat dhe vështirësisë gjatë punës së përditshme në menaxhimin e prokurorive, kryerja e lëndëve penale, veçmas rritja e efikasitetit në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe nevoja për shtimin e numrit të prokurorëve në të gjitha nivelet e prokurorive, ishin disa nga çështjet thelbësore të takimit të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit, Kelmendi, me kryeprokurorët e prokurorive dhe prokurorët e ZKPSH-së, të cilët, njëkohësisht, monitorojnë prokuroritë përkatëse”, thuhet në komunikatën për media.