Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka mbajtur takimin e radhës së kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë kryeprokurorët, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas njoftimit, ky takim filloi me raportimet e kryeprokurorëve lidhur me raportet tre mujore për rastet e korrupsionit, të cilët shpalosën të arriturat, sfidat dhe vështirësitë e tyre përgjatë trajtimit të këtyre rasteve.
Në këtë kontekst, Kelmendi kërkoi angazhim të shtuar dhe efikasitet më të lartë në trajtimin e rasteve të korrupsionit.
“Po ashtu, u diskutuan edhe regjistrimet e kallëzimeve penale të kësaj natyre në prokurori, si dhe unifikimi i praktikave brenda sistemit prokurorial në trajtimin e kallëzimeve penale që paraqitën nga palët për veprat penale kundër korrupsionit, veçanërisht informacionet dhe raportet zyrtare që vijnë nga ana e Policisë. Pjesë përmbajtjesore e këtij takimi ishte edhe diskutimi lidhur me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, ku u potencuan lëvizjet pozitive në bashkëpunimin e Prokurorit të Shtetit me shtetet tjera, si dhe nevoja e thëllimit të këtij bashkëpunimi, veçmas në çështjet e ekstradimit dhe transferimit të procedurave penale”, thuhet në njoftim.
Kelmendi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që të avancojnë raportimin për zbatimin e Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial.