Rritja e çmimeve të energjisë elektrike ka shkaktuar edhe rritje të madhe të vlerës së importit të energjisë. KEDS dhe KESCO gjatë tetorit të këtij viti, pra për një muaj përkundër motit të mirë, thonë se kanë importuar 9,15 milionë euro energji elektrike, një rritje enorme nga 1,5 milion euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Kjo rritje ka rrjedhur nga çmimet ekstreme dhe rritjes së kërkesës. KEDS dhe KESCO ka blerë gjatë tetorit energji elektrike me çmim mesatar prej 242 euro për megavat/orë, një rritje prej gati pesëfish nga tetori i vitit 2020, kur energjia elektrike ishte importuar me çmim mesatar prej 49 eurosh për megavat/orë. Konsumi është rritur për 18 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Për shkak të rritjes së konsumit KEDS dhe KESCO thonë se janë detyruar që të importojnë gjatë muajit tetor 37,753 megavat orë energji elektrike.
“Trendi i rritjes së konsumit ka vazhduar edhe gjatë nëntorit, sikurse edhe blerja me çmime të larta, madje mbi ato të muajit tetor”, vijon KEDS.
Nga kjo kompani shtojnë se, rënia e temperaturave pritet të rrisë tutje konsumin, dhe si rrjedhojë edhe nevojën për import shtesë, pasi prodhimi vendor është i kufizuar.
“Kështu, llogaritet të ketë kosto astronomike dhe të papërballueshme jo vetëm për KEDS dhe KESCO por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, kursimi maksimal dhe përdorimi i formave alternative për ngrohje, është i domosdoshëm në të gjithë vendin”, përfundon KEDS.