Përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve nuk kanë dashur të dëgjojnë fjalimin e aktivistes serbe Natasha Kandiq. Ata janë larguar nga tryeza e diskutimit gjatë kohës sa ajo po fliste në diskutimin me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”, të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Përfaqësues e familjarë të personave të zhdukur kanë kritikuar edhe institucionet vendore se nuk kanë bërë mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kandiq ka propozuar që të formohet një komision ekspertësh që merret me komisionin e Kosovës dhe atë serb.
Aktivistja dhe humanistja për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiq deklaroi se komisionet e të dyja vendeve do të duhej të bënin më shumë për evidentimin e numrit të viktimave dhe të shënimit të tyre. Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka të dhëna të ndryshme për numrin e të pagjeturve.
“Të dhënat tregojnë që ende numri më i madh i atyre që janë të zhdukur janë nga viti 1998. Kjo shifër tregon që kemi ende kur flasim për vitin 1998 deri më 20 qershor 1999, kemi 1080 të zhdukur shqiptarë. Ky është rezultati që kanë qenë të zënë, pastaj nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me fatin e tyre, pastaj kemi ata që janë të vrarë, por nuk kemi mbetje të tyre dhe kanë humbur çdo gjurmë. Përveç kësaj, ajo çfarë ka ndodhur pas 20 qershorit të vitit 1999 deri në fund të vitit 2000, kemi që kanë humbur, janë zhdukur 327 serbë, romë, boshnjakë, goranë dhe që janë zhdukur 38 shqiptarë. Krejt këto të dhëna tregojnë se sa në fakt prej viti 1998, se sa ky vit ka qenë i tmerrshëm, me shumë pak rezultate. Por, në anën tjetër e dhëna nga këto varreza masive për mbi 950 mbetje post mortore janë gjetur dhe janë të kthyera në Kosovë, dhe kjo tregon çfarë ka ndodhur edhe në vitin ’98 edhe në vitin ‘99”, ka deklaruar ajo.
Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi tha se është e rëndësishme që të ketë komision të ekspertëve me qëllim të zbardhjes së personave të zhdukur. Mes tjerash, theksoi se gjykatat deri më tani nuk janë marrë me personat e zhdukur.
“Gjykatat deri më tani nuk janë marrë me personat e zhdukur. Dhe ky është një problem shumë i madh, sepse sipas njohurive të mia unë e di vetëm një rast dhe nuk ka të bëjë me Kosovën, kur personi i cili ka qenë i gjykuar ka treguar për lokacionin e një varreze masive. Përndryshe, gjatë gjykimit as që ka qenë e ditur, as që është marrë parasysh, as me ligjet në fuqi dhe as është insistuar nga ana e prokurorisë apo të gjykatave që të zbulohen të dhënat për lokacionet e të njëjtave. Ose ata që kanë qenë të gjykuar që të japin të dhëna për varreza masive”, ka shtuar Kandiq.
Ajo ka folur edhe për Dhomat e Specializuara në Hagë, ku theksoi se për herë të parë do të hetohen edhe rastet e të pagjeturve.
“Ajo se çfarë për herë të parë ka ndodhur edhe të gjithë ata të cilët kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica prej tyre, shumica prej gjykimeve ka të bëjnë me fatin e personave të zhdukur. Ndoshta, shumicën nuk do i pëlqej, por unë si hulumtuese dhe në mënyrë absolute nuk ka ndonjë afërsi me përkatësinë e dikujt etnike, por e shoh çështjen e pyetjes së personave të zhdukur për rëndësinë apo peshën që i takon dhe që të arrihet një shkallë e drejtësisë për këto viktima, duhet të dini që me këto gjykime ndaj këtyre trupave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të qartësohet edhe fati i 70-80 apo edhe më shumë shqiptarëve dhe romëve, numër më të vogël janë edhe serbët që janë persona të zhdukur”, ka vijuar Kandiq në këtë tryezë.
Pas përfundimit të fjalës së saj, përfaqësues të shoqatave u kthyen në tryezë, por me kritika të ashpra.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka reaguar pas lëshimit të sallës nga ana e përfaqësuesve të shoqatave.
“A mendoni se ka ardhur koha që të qiten krejt në tavolinë? A mendoni se ne duhet me u ul edhe me bisedu me secilin person në Serbi, sepse nëse ne nuk e bëjmë këtë, veç mbesim në një vend. Unë mendoj se është gabim, unë mendoj se duhet me u ul. Unë mendoj se duhet të shkojmë në Beograd, jo të ikim prej tyre. Sepse ne jemi viktima”, ka deklaruar Balje.
Kumrije Prenku nga shoqata e të pagjeturve në Drenas u shpreh e pakënaqur me pjesëmarrjen e Kandiq në këtë tryezë.
“Nuk mundet me ardh dikush të më mbaj mua ligjërata, kur vet e kam parë se si i është heq koka njeriut para syve të njerëzve të mi. Fëmija jem është i thertë. Si e kishe ndjerë ti vetën me i dhanë përparësinë dikujt që e ke armik para vetës. Unë kurrë në jetë nuk e krahasoj një anëtar serb me anëtarin e familjes tem. Sepse unë kam qenë në shtëpinë time, unë kam qenë në trojet e mia. Nuk kam shkuar me vra, djeg, për të masakruar e dhunuar në Serbi”, u shpreh ajo.
Për të gjitha këto, Kandiq deklaroi se nuk po ndjehet e ofenduar.
“Ju sot nuk më ofenduat, unë, kam bërë atë që ndërgjegjja ime mua më ka urdhëruar të bëj si dikush që merret me drejtat e njeriut, por sot keni ofenduar institucion Parlamentin, dhe falënderoj zonjën Haziri që tha diçka që është plotësisht në vend dhe ka disa informacione por që nuk po punohet këtë, po e përsëris propozimin tim, dhe kjo është e është e rëndësishme të bëhet një komision ekspertësh që do të punojë me të dyja Komisionin e Kosovës dhe atë serb, në mënyrë që të gjitha informacionet renditen, dhe të kemi një pasqyrë të saktë për atë se çka është duke ndodhur me secilën viktimë”, ka përfunduar ajo.
Në diskutimin që zgjati më shumë se dy orë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti tha se këto krime janë bërë me urdhra shtetëror. Ai tha se janë bërë mbi 2 mijë e 700 gërmime në Kosovë, ndërkaq gjatë vitit të kaluar janë identifikuar mbetjet e 24 personave të zhdukur.
“Kemi kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që ta rrisin presionin ndaj Serbisë dhe në veçanti duke detyruar të hap arkivat e saj shtetërore të luftës së fundit në Kosovë. Të gjitha ato që konsiderohen si sekrete dhe jo sekrete, sepse ne konsiderojmë në këto arkiva mund të hasim në informacione të besueshme që mund të na çojnë edhe në zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, u shpreh ai.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci u shpreh se është në proces Ligji për personat e zhdukur.
“Si Kuvend, por sidomos edhe si komision për të pagjeturit duhet të luajmë një rol më aktiv në këtë çështje. Jo vetëm për të monitoruar Qeverinë apo mekanizmat tjerë rreth mënyrës se si është duke u proceduar për çështjen e personave të zhdukur, por çfarë mund të bëjmë specifikisht si Kuvend në këtë drejtim. E di që ende jemi në proces ku duhet trajtuar Ligji për Personat e Zhdukur, por mendoj që duhet edhe të shkojmë përtej. Për shkak që kemi mundësi si deputetë edhe si komision ta trajtojmë përtej”, ka theksuar Bogujevci.
Ndërkaq, udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini nuk doli nga salla me përfaqësuesit tjerë të shoqatës, por kërkoi nga institucionet e Kosovës që të marrin më seriozisht çështjen e të pagjeturve.
“Është vështirë të flasësh paushall, është vështirë me fol këtu pa dokumente. Është vështirë këtu me u paraqit patriot. Nuk kemi ardhur këtu me vajtu, kemi ardhur për një qëllim. Ku me gjet atë mekanizëm, që dy-tri herë përmendi Natasha, për largimin e politikës e të futurit në probleme kryesore që ne i kërkojmë… Avokati i Popullit na ka shumë borxh neve familjarëve, jo vetëm ky por edhe ata tjerët. Sepse nuk bëri padi penale që po na shkelën të drejtat çdo ditë. Pse nuk bëri padi penale. Keni bërë padi për pagat, keni bërë padi për se di çka, e për këta të ngratit nuk keni bërë padi”, ka deklaruar ai.
Përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve kanë kritikuar edhe mungesën e krerëve të Kosovës, pasi që parashihej të jenë pjesë e tryezës edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Për këtë, Saranda Bogujevci tha se krerët e shtetit nuk ishin të njoftuar me kohë.