Kandidati për president të Serbisë nga Partia Republikane e Serbisë, Nikola Sanduloviq, përmes një postimi në Facebook, tha se “Nikolay Patrushev pritet të japë dritën jeshile për të kryer aktivitete ushtarake në drejtim të Kosovës dhe Republikës Srpska”, në mënyrë që Vuçiq të marr garanci për të qëndruar në pushtet dhe të mbrohet nga arrestimi.
Sanduloviq kërkoi nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandwr Vuçiq, që të ketë kujdes me veprimet e tij.
“Shikoi se çfarë po bëni dhe në cilin drejtim po e dërgoni Serbinë sërish, sepse sigurisht se do të përgjigjeni për këtë”, ka thënë ai.
Në kohën kur Rusia është duke pushtuar Ukrainën, ardhja e Patrushev në të njëjtën kohë në Beograd, po shihet si tendencë për shkaktim të kaosit në Ballkan.
“Aleksandar Vuçiq, me ardhjen e Patrushev në Beograd, prisni dritën jeshile për të kryer disa aktivitete ushtarake në drejtim të Kosovës dhe Republikës Srpska. Përgatitjet tuaja për ushtrinë, përgatitja e mekanizmave të gjendjes së luftës në gatishmëri, përgatitja e publikut për furnizim me ushqim e karburant, dhe kontrollimi i sirenave të sulmeve ajrore në Beograd, flasin në favor të çmendurisë tuaj të plotë dhe luajtjes së kartës së shkaktimit të kaosit të përgjithshëm në Ballkan”, shtoi Sanduloviq.
Sipas tij, realizimi i këtyre veprimeve do t’i siguronte Vuçiqit që të qëndron në pushtet dhe të mbrohet nga arrestimi.