Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj deklaroi se rrahja në kuvend nisi nga ministrat. Ajo theksoi se të njëjtit nxitën dhunën.
Ajo tha se sot nuk mund të ketë normalitet dhe nuk ka kushte për vazhdim të seancës.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj tha se në seancën e sotme plenare, ishin të fokusuar te audio-incizimet dhe potencoi se qeveria nuk i pranon kritikat.
“Në vazhdën e kësaj, deputët kanë ngjitur një pankartë që është aluduar në atë se çka është biseduar dhe çfarë ka dalë në audio incizime, një fotografi të Albin Kurtit. Dhe deputeti e ka gjuajtur me ujë Albin Kurtin, nuk është sulmuar nga deputetët e opozitë, por deputetët janë sulmuar nga ministrat, nga zëvendëskryeministri dhe nga ministratat e Qeverisë Kurti”, tha ajo.
Ajo shtoi se rrahja nisi nga kabineti qeveritar.
“Sherri ka filluar, nuk është sherr, sepse është një veprim demokratik ku gjuhet një kryeministër me ujë dhe kthehemi në retrospektivë ku shohim veprimet që ka bërë LVV në Kuvendin e Kosovës në kundërshtimet që ka pasur, nuk është asgjë në këtë raport, sepse deputeti ka gjuajtur vetëm me ujë. Dhuna nuk është veprim demokratik, nuk na vjen mirë për pamjet që janë krijuar, sepse me një gjuajtje të ujit do të kishte përfunduar gjithçka. Por, ne kemi parë reagimin e ministrave të kësaj qeverie dhe e kemi parë të deputetëve, këta kanë qenë nxitës të dhunës që ka ndodhir në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Kadriaj.