Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Britania e Madhe do të mbështesë Suedinë nëse vendos të aplikojë për anëtarësim në NATO.
“Jam i sigurt se Britania e Madhe do të mbështesë çfarëdo veprimi që Suedia vendos të nisë. Ne do të jemi aq të dobishëm dhe të mbështesim sa të mundemi”, tha ai.
Ndërsa kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson tha se po shqyrtojnë të gjitha opsionet e mundshme dhe NATO është një prej tyre që është në tryezë.
“Ne kemi pasur diskutime me disa vende se si e shohin ata këtë ‘periudhë gri’ (nga paraqitja e një aplikimi për t’u bashkuar) derisa të jemi anëtarë të plotë. Ne kemi marrë siguri nga disa vende. Unë jam këtu me Boris Johnson sot, kam pasur një konferencë shtypi me (kancelarin gjerman) Olaf Scholz javën e kaluar, kam pasur gjithashtu ministrin tonë të jashtëm në Uashington javën e kaluar”, tha ajo.
Ndërkohë, kryeministrja finlandeze, Sanna Marin ka thënë se mundësia e anëtarësimit të vendit të saj në NATO ishte për sigurinë e qytetarëve të saj.
Të dy vendet pritet të shpallin qëndrimet e tyre për anëtarësimin në NATO këtë javë në atë që mund të jetë një goditje serioze për Rusinë, ndërsa ushtria e saj lufton për të arritur përfitime vendimtare në Ukrainë.
“Nëse Finlanda e bën këtë hap historik, është për sigurinë e qytetarëve tanë. Anëtarësimi në NATO do të forcojë të gjithë komunitetin ndërkombëtar që qëndron për vlerat e përbashkëta”, tha Marin, raporton Sky News.