Italia po vazhdon përpjekjet për të shuar zjarret që nisën në fillim të javës në rajonet jugore dhe ishujt e vendit.
Përpjekjet për kontrollin e zjarreve në pyje që shpërthyen pranë qytetit të Palermos në perëndim të ishullit të Sicilisë vazhdojnë edhe sot me ndërhyrjen e ekipeve të zjarrfikësve, shkruan AA.
Zjarri i cili shpërtheu natën në zonën rurale brenda kufijve të parkut kombëtar të vullkanit Etna, në lindje të ishullit, pranë qytetit të Catania, është përhapur herë pas here në autostradën A18.
ANAS, agjencia përgjegjëse për autostradat, njoftoi se rreziku i zjarrit ka kaluar dhe transporti është siguruar në rrugët në të gjithë ishullin.
Në deklaratën e bërë nga Departamenti i Zjarrfikësve të Italisë, raportohet se situata në Siçili po përmirësohet për sa i përket kontrollit të zjarreve, por situata në ishull mbetet ende kritike.
Departamenti i Zjarrfikësve vuri në dukje se për shuarjen e zjarreve në Siçili, Kalabri, Pulia dhe Sardenjë u angazhuan 6 mijë personel, 1 mijë e 500 automjete, 14 avionë zjarrfikës dhe dy helikopterë.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, bëri vlerësime në Facebook për breshrin dhe stuhinë e madhe në veri të vendit dhe zjarret në pyje në rajonet jugore përpara vizitës së saj zyrtare në SHBA.
“Zjarret dhe fatkeqësitë meteorologjike që kanë ndodhur ditët e fundit po vënë në provë Italinë. Qeveria ka mobilizuar të gjitha mjetet e saj. Ne jemi në punë për të bërë reagime të shpejta dhe efektive”, tha Meloni.
Këshilli i Ministrave u mblodh më 26 korrik (e mërkurë) dhe miratoi dekretin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të ndërtimit dhe bujqësisë përballë ngjarjeve emergjente klimatike.