Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka hapur dyert për vizitë nga bashkatdhetarët, megjithatë aty u pa një numër i vogël i tyre por të cilët u shprehen të zhgënjyer nga mungesa e një organizimi më të denjë.
Mërgimtari që jeton dhe vepron në Zvicër, Ahmet Bllaca tha se Kuvendi si objekt është i mirë po që shprehi mospajtime me udhëheqësit e shtetit.
“Kuvendi është shumë vend i mirë, më një fjalë në shtetet me demokraci të përparuar, kuvendi është tempull i demokracisë. Si objekt është fenomenal, ky kuvend na kujton edhe një të kaluar të hidhur, ish krahinat e autonomisë të Kosovës në ish-Jugosllavi. Kur e kanë bërë jashtë kuvendarët tonë, e kanë shpallur si të pavarur këtë shtet, po zotërinjtë sot që janë aty, më vjen shumë keq, një pjesë e madhe e tyre tentojnë ta shndërrojnë në cirk, në vend që të jenë një gjuhë, të arrijnë kompromise dhe të votojnë ligje, ata zotërit kurdo hynë e dalin, aspak nuk e marrin si përgjegjësi, e marrin si hobi”, ka thënë ai.
Një tjetër mërgimtar, Shahin Shahini, u shpreh i zhgënjyer pasi në objektet e Kuvendit nuk e ka pritur askush nga deputetët.
“E pash në portal që sot edhe nesër do të jenë hapur dyert e Kuvendit, neve nuk na priti askush, nuk më pëlqej hiq fare, për të bërë ankesa nuk kishe se ku. Jo mërgata duhet t’i ketë do të drejta, kurrfarë të drejta nuk kemi. Është dashur të këtë një kohë të caktuar. Kuvendi mirë po do punë tjera me na i kry pak më mirë, aty është problemi. Këtu mirë krejt, i lumi ai që është këtu, i mjeri ai që është jashtë”, deklaroi Shahini.
Ndërsa, të vetmit që u panë ishin deputetët Enver Dugolli dhe Fridon Lala. Dugolli deklaroi se është njoftuar me vonës për ardhjen e bashkatdhetarëve, derisa shtoi se LVV-ja ka pasur takim edhe të premten me mërgimtarët.
“Sot gjithashtu është ditë që do të jemi këtu prezent edhe nesër gjithashtu, bashkatdhetarët janë të mirëseardhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shohin nga afër edhe deputetët edhe ambientin ku punojmë. Pyetje, komente jemi të gatshëm si gjithmonë për bashkatdhetarët e qytetarët që na kanë votuar. Në orët në vijim do të vijnë edhe më shumë deputetë për shkak se unë me vonës u njoftova që sot është gjithashtu ditë për bashkatdhetarët, që do të vijnë ne Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kurse Fridon Lala ka bërë të ditur se dyert e Kuvendit janë të hapura për mërgimtaret sot edhe nesër. Ai theksoi se kontributi i mërgatës i dhënë në proceset shtetendërtuese të Kosovës është i madh.
“Kuvendi, si anëtarë i forumit për transparencë parlamentare mund të them që edhe këto ditë e kemi pasur si agjendë të punës tonë, mirëpo ka qenë i hapur gjatë vitit për të gjitha grupet shoqërore, por dukE marrë parasysh që mërgata këtë kohë vije në Kosovë dhe jeta dinamike që ata kanë atje nuk mund të përcjellin në baza ditore punën e kuvendit, kemi vendosur këto dy ditë t’ia kushtojmë mërgatës. Të gjitha ata pjesëtarë apo qytetarë të Kosovës që jetojnë në mërgime dhe janë të interesuar rreth punës së kuvendit sot po na vizitojnë. Ajo çfarë më së shumti kemi marrë rreth mërgatës, janë projektligjet të cilat i kemi programuar si kuvend që kemi kaluar dhe zakonisht ka pyetje shtesë, se çfarë do të ndikojë ai projektligj, si do të impelmentohet, a do të implementohet, duke marrë parasysh skepticizmin që e kanë nga e kaluara”, deklaroi ai.
Kuvendi do të jetë i hapur edhe nesër deri në orën 16:00.