UBT News

​Inaugurohet Këshilli për Demokraci, Osmani: Është garancia për angazhim dhe përmbushje të zotimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka inauguruar Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.

Në një tryezë me gjithë krerët e institucioneve kyçe për vendin, Osmani tha se ky këshill ka për qëllim angazhimin dhe bashkërendimin institucional për fuqizim të demokracisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Krahas kësaj, tha se ky këshill paraqet angazhimin e institucioneve në luftimin e korrupsionit, mbrojtjen nga autoritarizmi dhe avancimin e të drejtave të njeriut.

“Kosova do të fuqizojë demokracinë dhe do të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj. Demokracia është vlerë e shoqërisë sonë dhe është rrënjosur thellë. Ky Këshill është garancia për angazhimin dhe bashkërendimin institucional dhe përmbushje të zotimeve të samitit për demokraci nga presidenti Biden”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca tha se agresioni rus në Ukrainë dëshmon se demokracia nuk qëndron vet, por nevojitet aleanca me demokracitë tjera.

“Siç po dëshmojnë ngjarjet e sotme dhe agresioni rus në Ukrainë, demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojitet aleanca me demokracitë tjera, siç po e shohim edhe në botë, se autokratët janë të lidhur me njëri-tjetrin”, theksoi ai.

E kryeministri Albin Kurti tha se në një vit qeverisje kanë shënuar progres në fushën antikorrupsion dhe fuqizim të të drejtave të njeriut.

“Në fushën e mbrojtjes ndaj autoritarizmit kemi vendosur sanksione ndaj federatës ruse”, tha ai. 

Exit mobile version