IKShPK u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID-19, pasi dy variantet e omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda dhe me raste fatale.
Në një komunikatë për media thuhet se qytetarët duhet të bartin maska, të mbajnë distancën sociale, higjienën, të shmangin udhëtimet e panevojshme, të qëndrojnë në shtëpi dhe të ajrosin ambientet e mbyllura.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, ka thënë IKShPK.
Gjithashtu apelohet për vaksinim me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç.
“Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike. Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, përfundon komunikata.