Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit E.A. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka dhunuar një të mitur.
Në një komunikatë për media, Gjykata Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2021, në kohë të pacaktuar në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, duke e ditur se e dëmtuara është nën moshën 16-vjeçare dhe pa pëlqimin e saj ka kryer akt seksual.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në komunikatë.