Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij për dezinformimin në rritje në Kosovë. Ai ka thënë se një prej prioriteteve të Shteteve të Bashkuara është rritja e sigurisë kibernetike.
Diplomati amerikan po merr pjesë në Konferencën për Integritetin e Informacionit, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, DISICON.
“Një nga prioritet kryesore të ShBA-ve është rritja e sigurisë kibernetike dhe te informacionit, kjo përfshin edhe ndalimin e dezinformatave. Dezinformimi këtu në Kosovë është i vazhdueshëm dhe është problem që gjithnjë po rritet”, tha Hovenier.
Ndërsa shefja e Sektorit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian, AnnaCarin Platon, ka thënë se kërcënimet kibernetike janë sfidë globale dhe për të zhdukur këtë dukuri kërkohet angazhim nga të gjithë.
“Kërcënimi i sigurisë kombëtare është sfidë globale dhe kërkon që ne të punojmë së bashku. Këto kërcënime kibernetike janë rritur dhe po rrezikojnë që të qojnë edhe në eskalim konflikti mes shteteve. Reformat vendore dhe bashkëpunimet ndërkombëtare janë të domosdoshme për ta adresuar këtë çështje në Ballkanin Perëndimor. Është me rendësi që të ketë mekanizma që të mbikëqyr sigurinë kibernetike”, tha Platon.