Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me rastin e 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik ka hedhur një vështrim edhe mbi situatën aktuale në Ukrainë në 6-mujorin e fillimit të bombardimeve nga Rusia.
Hovenier mes tjerash ka shkruar se Ukraina e sulmuar nga Rusia që nga viti 2014, ka gjysmë viti që po iu reziston bombardimeve masive, rrethimeve të qyteteve dhe mizorive kundër popullit të saj. Sipas tij, Ukraina po lufton për të mbrojtur jo vetëm demokracinë e saj, por edhe mbijetesën si shtet i pavarur.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin të gjitha përpjekjet për të siguruar që prodhimet ushqimore ukrainase arrijnë në tregjet botërore. Do të vazhdojmë të shfrytëzojmë forumet si G20 për të shtyrë Rusinë të respektojë ujdinë e arritur rishtazi për të lejuar kalimin e dërgesave me mallra ushqimore nga portet e Ukrainës në Detin e Zi. Me sulmin e pacipë të Rusisë në portin e Odesës vetëm 24 orë pas arritjes së kësaj ujdie, bashkë me sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës transportuese dhe bujqësore, presioni ndërkombëtar për të zhbllokuar eksportet e mallrave ushqimore ukrainase do të vazhdojë të jetë thelbësor”, shkroi mes tjerash ambasadori.