Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka reaguar sot ashpër ndaj djegies së një veture në veri për shkak se ishte pajisur me tabela RKS.
“ShBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar diplomati amerikan në Twitter.
“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, ka shtuar ai.
Ndryshe, edhe një veturë me targa RKS është djegur pas mesnate në Zubin Potok. Vetura ishte pronë e një serbi, i cili kishte konvertuar targat ilegale në ato RKS. Kohë më parë janë djegur edhe dy vetura të tjera të qytetarëve serbë, pasi të njëjtit kishin konvertuar targat ilegale në ato RKS.