Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk beson se merr fund me deklarimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq, se ai e ka organizuar sulmin.
“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”, ka thënë Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Si pasojë e sulmeve të 24 shtatorit, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Ai është marrë në pyetje nga autoritetet serbe më 3 tetor lidhur me zhvillimet në Banjskë, ndërsa është liruar nga mbajtja më 4 tetor.
Me vendim të gjykatës i është ndaluar shkuarja në Kosovë.
Radoiçiqi akuzohet në Serbi për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Por ai e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve.
I pyetur nëse SHBA-ja ka informacione për planet e grupit të armatosur dhe nëse është përfshirë Beogradi zyrtar në sulme, në ndonjë mënyrë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja është ende duke mësuar më shumë për rastin.
“Kjo gjë merr kohë. Ka qenë një rrethanë e komplikuar dhe do të marrë kohë derisa t’i kuptojmë të gjitha specifikat”.
Megjithatë, Hovenier e ka përsëritur se SHBA-ja beson se sulmi nuk ka qenë spontan dhe grupi ka qenë “i koordinuar”, i cili ka përdorur armë të sofistikuara të gradës ushtarake – një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë me origjine serbe – me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.
Pretendimet për Tuzllën po trajtohen “me interes”
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë informacione për pretendimet se Radoiçiq i ka siguruar armët nga Tuzlla e Bosnje – Hercegovinës, prej janarit deri në shtator të këtij viti, Hovenier ka thënë se kjo temë konsiderohet “me interes”.
“Është e rëndësishme që autoritetet serbe kanë nisur ta analizojnë atë që do ta quaja zinxhir të ruajtjes së materialit [armëve]. Ka pasur material të prodhuar në Serbi që disi ka arritur në pajisje të armatosura në Banjskë. Kjo është diçka që duhet ta kuptojmë dhe të adresohet. Nuk mund t’i vërtetoj pretendimet se këto gjëra kanë ardhur prej këtu ose atje, prej Tuzllës, ende duhet bërë punë”.
Për sanksionet eventuale të SHBA-së ndaj Serbisë
Ambasadori amerikan është pyetur edhe nëse SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë.
Ai ka thënë se autoritetet amerikane ende janë duke tentuar të kuptojnë më shumë.
“Mirëpo, është qëndrim i prerë i Qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë krim, si për krimin e vrasjes së zyrtarit policor, për përdorimin e forcës për ta kontrolluar një objekt fetar, për përfshirje në shkëmbim të zjarrit me policinë legjitime dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës, duhet të mbahen përgjegjës. Ne duhet ta përfundojmë këtë proces, mirëpo do të jemi të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces, për të garantuar se përgjegjësit mbajnë përgjegjësi”.
Nëse duhet ekstraduar Radoiçiqi
Temën e ekstradimit të Radoiçiqit, ambasadori amerikan e ka konsideruar si goxha komplekse, dhe se nuk e di nëse SHBA-ja duhet të japë një mendim për këtë gjë, duke e përmendur faktin që Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
“Megjithatë, e di, që disa marrëveshje të Brukselit kanë dispozita për ndihmën e ndërsjellë juridike dhe mendoj se kjo çështje është edhe politike dhe teknike”.
SHBA-ja, e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit
Mes tjerash Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.
“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.
Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara./rel