Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është shqetësuese mungesa e masave nga ana e Qeverisë për situatën aktuale me rritjen e çmimeve.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Hoti ka thënë se propozimi i LDK-së për heqjen e akcizës përkohësisht në naftë dhe përgjysmimi i TVSh-së do të ofronte për qytetarët çmimin e naftës rreth 1.30 euro.
“Shqetësuese vërtet është mungesa e çfarëdo mase nga ana Qeverisë, nëse nuk gaboj më 2019 kur inflacioni ka qenë 3.4% atëherë nëse nuk jam gabim Vetëvendosje e pat shpall vitin 2019 vit të rritjes së çmimeve, më 3.4%, tash çmimet kanë shkuar mesatarisht 14% dhe nuk ndërmerret asnjë masë. Shihni pak ekonomitë e tjera çfarë po bëjnë në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së ka thënë se e vetmja masë e ndërmarrë nga Qeveria është caktimi i çmimit maksimal të naftës.
“Propozimi ynë që heqja e akcizës përkohësisht në naftë dhe ndoshta përgjysmimi i TVSH-së do të kishte funksionuar perfekt me këtë masë të caktimit të çmimit maksimal dhe sot çmimi i naftës ndoshta do ta kishim, pa akcizë dhe me përgjysmë TVSH, me rreth 1.25 ose 1.30 euro për litër të naftës”, ka thënë Hoti.