Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti e ka quajtur historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Pak minuta pasi u konkretizua njohja e Kosovës nga Izraeli, shefi i ekzekutivit në detyrë tha se me njohjen e sotme Kosova e theu bllokadën e njohjeve për vendin. Derisa theksoi se Kosova tashmë pritet të konsolidohet në arenën ndërkombëtare.
“Me marrëveshjen e sotme kemi thyer bllokadën e njohjeve për Kosovën. Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike shteti i Kosovës konsolidohet në arenën ndërkombëtare. Konkretizimi që u bë sot tregon qartë për rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit të Shtëpisë së Bardhë dhe i shuan gjithë zërat kritik”, tha ai.
Fjalë të mira për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelit shprehu edhe ministrja në detyrë e MPJ-së, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ani pse e quajti historike njohjen nga Izraeli, kryeministri në detyrë nuk dha detaje se kur pritet të vendoset ambasada e Kosovës në Jerusalem.