Në kuadër të aktivitetit për “Shënimin e 8 Marsit- Dita Ndërkombëtare e Gruas”, është bërë nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të grave nga programi i rimëkëmbjes ekonomike.
Për arsye të pandemisë, sot ka pasur një numër të vogël të nënshkrimeve – përfitueseve, vetëm 16 nga 250 përfituese gra.
Duke uruar 8 marsin, Ditën Ndërkombëtaret të Gruas, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka falënderuar gratë për kontributin e pashembullt në familje e shoqëri.
Megjithëse, Hoti tha se pandemia tash e një vit ka ndikuar kryesisht edhe te bizneset e vogla dhe të mesme ku gratë janë të fokusuara.
“Jemi përballë një situatë të vështirë të pandemisë tash e një vit, dhe kemi parë që këto norma tona jo vetëm te ne, ndikojnë në jetën e grave dhe vajzave, duke i ngarkuar ato me barrën e kujdesit ndaj familjes, ndaj fëmijëve, ndaj personave. Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm që nga një herë mund të duket se po shkon në mënyrë të pavërejtur, por ata që i marrin këto shërbime brenda familjes dhe shoqërisë e kanë vlerësimin më të lartë për punën që bëjnë. Është fakt që pandemia ka ndikuar kryesisht te bizneset e vogla dhe të mesme, ku gratë janë të fokusuara dhe rrjedhimisht kanë pësuar më shumë nga kjo pandemi”, theksoi Hoti.
Hoti tha se mbështetja për gratë do të jetë e vazhdueshme për fuqizimin e grave në ekonomi dhe eliminim e dhunës në familje.
“Unë besoj që kjo (mbështetje) do të vazhdojë edhe më tutje pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin që të fuqizojmë gratë në ekonomi, që të rrisim pavarësinë financiare dhe ekonomike të grave, si dhe ta eliminojmë dukurinë negative, siç është dhuna ndaj grave në familje dhe në shoqëri. Po e përmbyllim këtë program sot edhe me një informatë të mirë në bazë të një evidence që ka nxjerrë Agjencia e për Barazi Gjinore, ku sipas të dhënave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, Kosova është në mesin e 15 vendeve që kishte masa për sigurimin ekonomik të grave gjatë kohës së pandemisë krahas shteteve të më të zhvilluara të shteteve të botës”, theksoi Hoti.
Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore tha se për arsye të pandemisë, sot është një numër i vogël i përfitueseve, janë vetëm 16 nga 250 përfituese gra.
Gusia tha po ashtu se qeveria bëri një ndryshim në histori, me mbështetjen e Agjencisë për Barazi Gjinore, gratë dhe vajzat me 2 milionë euro.
“Në emër të Agjencisë për Barazi Gjinore ju falënderojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur, dhe mbi të gjitha për ndryshimin i cili është sjellë në politikë hartim me ndarjen e fondit prej 2 milionë euro. Qeveria bën një ndryshim në histori me siguri edhe për ndikimin e pandemisë dhe prej një vullneti për të respektuar legjislacionin që garanton barazinë gjinore, dhe për herë të parë të mbështeten Agjencia për Barazi Gjinore, gratë dhe vajzat e Kosovës në vlerë totale prej 2 milionë eurove”, tha Gusia.
Sot për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas janë paraparë edhe disa aktivitete të ndryshme, edhe në formë të protestave.