Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit kanë pasur efekt negativ në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë pasojat po shihen, duke nënkuptuar për pezullimin e stërvitjeve ushtarake “Defender Europe ‘23”.
Hill nga Beogradi tha se mund të ketë edhe pasoja të tjera për Kosovën, por tha se nuk është në gjendje të flasim tani për to.
“Unë mendoj se, ashtu siç e bëri shumë të qartë z. Blinken, do të ketë efekte në marrëdhëniet tona dypalëshe, ne po i shohim tashmë ato. Nuk përjashtoj mundësinë se do ketë të tjera, por nuk jam në gjendje t’i identifikoj ato, përveçse mund të them se duam më shumë përparim në Kosovë, duam themelimin e Asociacionit të komunave serbe, duam normalizim. Angazhimi drejt normalizimit duhet të bëhet nga të dyja vendet duke përfshirë edhe Serbinë, por ne duam të shohim këtë lëvizje, dhe ne duam të shohim rivendosjen e dialogut dhe në fund, siç thashë pak minuta më parë, duam ta shohim Serbinë të vazhdojë këtë rrugëtim drejt perëndimit dhe të jetë realisht pjesë e strukturave euroatlantike”, deklaroi Hill.
Ambasadori amerikan në Serbi deklaroi se Ballkani duhet të qetësohet dhe të bëjë një rrugëtim të ri që është drejt Evropës dhe strukturave euroatlantike.
“Ballkani duhet të qetësohet. Ne duhet të kemi një situatë ku të gjithë në Ballkan të mund të përgatiten për një rrugëtim tjetër dhe ai rrugëtim është drejt Evropës. Kështu që unë shpresoj se Serbia do të mbajë në fokus shumë të mprehtë dhe fokus të qartë nevojën për të vazhduar këtë dialog dhe nevojën për të arritur përfundimisht në destinacionin e strukturave euroatlantike”, tha Hill.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet në veri të vendit.
Duke dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe veprimet përshkallëzuese në veri të Kosovës, Blinken ka apeluar të dyja palët që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.