Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se baktere të gjalla mbi normat e lejuara kanë rezultuar të kenë mostrat e ujit të marra në fshatin Gorancë të Hanit të Elezit, ku qindra qytetarë morën trajtime me simptoma të njëjta që disa ditë.
Sipas njoftimit, për analiza fiziko-komike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervoari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit, të cilat janë analizuar në Qendrën Laboratorike Testuese të IKShPK-së.
“Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”, thuhet në njoftim.
Përndryshe, brenda 24 orëve të fundit janë paraqitur 34 raste në AMF-në e fshatit Gorancë, dhe 13 raste në QKMF-ën e Hanit të Elezit. Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhimbje, mundim, vjellje dhe barkqitje.
Nga banorët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka të hospitalizuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes./UBTNews/