Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk ka treguar nëse ka denoncuar në polici, personin për të cilin, siç tha ajo ka përqeshur viktimat e pedofilisë.
Ajo derisa ka komentuar postimin e saj të para disa ditëve, në lidhje me tentim dhunimin e një 14-vjecareje, ka thënë se policia ka qenë në dijeni për diskutimin që është zhvilluar në rrjetet sociale.
Haxhiu u shpreh se qëllimi i postimit të këtij rasti ka qenë që për këtë krim të mos tallen dhe normalizojnë të tjerët në raste të tilla.
“Më vjen shumë mirë që postimi im është komentuar dhe ka pasur debate për këtë. Unë kam qëndrimin e njëjtë dhe mendoj se vetëm përmes veprimeve të tilla sikurse edhe postimi që kam bërë ngritët debati për një çështje kaq të ndjeshme dhe përballemi me argumente të ndryshme në raport me këtë çështje. Për mua ata të cilët tentojnë të tallen me viktimat e pedofilisë, apo në forma të tjera përqeshin viktimat e pedofilisë apo me pedofilinë si krim nuk mund të dallojnë shumë nga pedofilët. Ndonëse legjislacioni në fuqi i trajton ndryshe. Prandaj, kushdo që tenton në forma të tilla të relativizojnë, të zbehin pasojat e pedofilisë mendoj që e ka gabim dhe do ta them gjithnjë dhe në vazhdimësi”, ka deklaruar ajo.
Ministrja e Drejtësisë kishte paralajmëruar denoncim në polici të një personi, i cili sipas saj ishte tallur me rastin që Haxhiu kishte shkruar në rrjetet sociale.
E pyetur se a e ka bërë një gjë të tillë, ajo tha se për këtë çështje policia ka qenë në dijeni.
“Unë mendoj që fare pak është e rëndësishme në qoftë se denoncohet personi në polici. E rëndësishme është që të flasim për atë mendësi që konsideroj që është problem në qoftë se e njëjta është e instaluar në shoqërinë tonë. Sipas informacioneve që unë i kam, policia ka qenë në dijeni për gjithë këtë diskutim që është bërë në rrjetet sociale. Prandaj, nëse ata e vlerësojnë që duhet të vazhdohet tutje, ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Unë asnjëherë nuk kam thënë që do të ngris apo do të bëjë një kallëzim penal. Unë kam thënë që do ta raportojë në polici dhe sigurisht që pastaj organet tjera, të cilët e kanë mandat të bëjnë hetime do të merren nëse e konsiderojnë që ka bërë një vepër penale”, ka shtuar Haxhiu para mediave.
Për më tepër, ajo shtoi se një postim i tillë është nxitje për të tjerët që merren me pedofilinë.
Para disa ditëve, ministrja Albulena Haxhiu ka njoftuar se në ministri prindi i një vajze ka treguar për 14-vjecaren e cila ishte tentuar të dhunohej, por që personi i dyshuar është në liri. Më pas, Haxhiu ka publikuar edhe një shkrim të një qytetari, i cili sipas saj ka tentuar të tallej me viktimën. Për këtë ajo kishte deklaruar se do ta denoncojë në polici.