Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në kryeqytet, ku nxënësit e kësaj shkolle kishin organizuar disa aktivitete në kuadër të kësaj fushate.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se për herë të parë në kuadër të kësaj fushate kundër dhunës me bazë gjinore organizojnë aktivitete edhe në fushën e arsimit pasi nevojitet vetëdijësim për parandalimin të rasteve të dhunës.
Ajo po ashtu u shpreh se aktvitetet e tyre janë shumë dimensionale dhe në kuadër të kësaj kanë nis rishikimin e teksteve mësimore ku edhe tekstet ndonjëhere kanë përcjellur mesazhe diskrimunese.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se në kuadër të fushatës kundër dhunës në baza gjinore po zhvillojnë aktivitete edhe në shkollat fillore me qëllim të vetëdijësimit kundër këtyre dukurive negative në shoqërisë.
Ajo tha se si MD-ja kanë ndërmarrë veprime e kanë hartuar ligje për tu qëndruar sa më pranë viktimave të dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore.
Haxhiu po ashtu tha se shqetësues në Kosovë janë rastet e shumta të dhunës së burrave ndaj grave, ku deri në këtë periudhë të vitit sipas saj janë raportuar 2500 raste të dhunës në familje.