Forca e Sigurisë së Kosovës e ka përmbyllur garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2022” në të cilën ka triumfuar Haxhi Krasniqi i cili ka marrë medaljen e ushtarit më të mirë të FSK-së. Gara tradicionale e cila është përmbyllur me një ceremoni në kazermën “Adem Jashari”, synon rritjen e aftësive ushtarake dhe ndihmon në shkëmbimin e përvojave me ushtarët ndërkombëtar në vendet partnere.
Për ushtarin Haxhi Krasniqi triumfi në këtë garë është motiv për zhvillim të mëtejmë brenda FSK-së.
“Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar mbi zhvillimin e karrierës sime. Kjo për mua është nder dhe privilegj që marrë pjesë në garën e ushtarit më të mirë në mesin e shumë shteteve aleate ku arrita ta zë vendin e parë… Për mua kjo më shtyn më shumë me vazhdu përpara dhe me ndjek rrugën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me u zhvillu sa më shumë”, thotë Krasniqi.
Ndërsa ushtarja Hanife Berisha, pjesëmarrëse në këtë garë, inkurajon të gjitha vajzat që të ndjekin rrugën e tyre pavarësisht sfidave të profesionit.
“Ka qenë një përvojë shumë e mirë e imja edhe pse kam pak kohë që jam në ushtri. Jam gjeneratë e re 2021, jam kënaqur shumë, kam parë shumë sfida për vetën time si vajzë që jam por ju them të gjitha vajzave që nëse e do një punë mos ndalo asnjëherë dhe do të përgatitesh gjithmonë do të kesh sukses”, thotë ajo.
Përveç ushtarit më të mirë të FSK-së, në këtë garë ka triumfuar edhe Simon Buies si ushtari më i mirë në garën ndërkombëtare.
Përmes kësaj gare, Forca e Sigurisë së Kosovës synon promovimin e shpirtit garues dhe zhvillimin e ushtarëve dhe nënoficerëve.
Rreshter major Bedri Zuka bën të ditur se në këtë garë morën pjesë 22 pjesëtarë të forcës dhe 17 ndërkombëtar.
“Një aktivitet i tillë është tregues më i mire për FSK-në se ka krijuar një trupë funksionale dhe profesionale te nënoficerëve. Në këtë garë morën pjesë 22 pjesëtarë nga FSK dhe 17 pjesëtarë nga ndërkombëtarët që garuan për garën e ushtarit më te mirë në FSK dhe garën e ushtarit më te mire ndërkombëtar, siç ishin nga Shqipëria, Kanada, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Garda Nacionale e Ioëa-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesëtarët e KFOR-it turk”, thotë ai.
Ndërsa zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla thotë se kjo garë promovon vlerat e gatishmërisë dhe profesionalizmin e Forcës.
“Ministria e Mbrojtjes dhe e gjithë Qeverisë së Republikës së Kosovës si përgjegjëse e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë ka objektiv kryesor ndërtimin e forcave sipas standardeve të vendeve të NATO-s, forca të ndërveprueshme me forcat e vendeve aleate për pjesëmarrje efektive në operacionet e përbashkëta shumëkombëshe në shërbim të paqes dhe stabilitetit kudo qoftë ne botë”, thotë Syla.
Gara tradicionale për ushtarin më të mirë organizohet prej vitit 2014 dhe për model e ka luftëtarin më të mirë të Gardës Kombëtare të Ioëa-s.
Aktiviteti është organizuar dhe realizuar nga nënoficerët dhe ndër të tjera ka përmbajtur testin fizik, navigimin tokësor, gjuajtjen me armë të gjata e të shkurta, hedhjen e granatës dhe marshimin e shpejtë.
Nga ushtarët e FSK-së, vendin e dytë e ka fituar Ejdon Mulaku ndërsa vendin e tretë Qëndrim Asllanaj. Ushtarët pjesëmarrës kanë pranuar mirënjohje për performancën e tyre në këtë garë.