Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Junik. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh i bindur se të dielën, më 14 nëntor do të fitojnë bindshëm në këtë komunë. Ai tha se Juniku ka vendosur një kulturë qeverisëse, për çka edhe qytetarët e kanë përkrahur.
“Kur don populli, don Zoti. Ata që mundohen ta prishin këtë të drejtë në mënyra të tjera gabojnë. Ky është vend i vogël, ju jeni një familje. Unë e di se ashtu që ju shoh sot, ju do të fitoni bindshëm. Por fituesi e ka obligim të sjellet përgjegjshëm, me respekt dhe të mos bëjë diskriminim. Me ju dhënë të gjithëve meritën që parasheh ligji. Po ashtu edhe ne që e ndjejmë Junikun, e kemi për obligim që të përkrahim Junikun, me projekte zhvillimore”, u shpreh ai.
Ai ka kërkuar votën për Agron Kuçin duke thënë që çdo votë është e vlefshme.
Kandidati për kryetar të Junikut, Agron Kuçi tha se ajo që bashkon junikasit është më e fortë se çdo tentim tjetër që ka synim ndarjen dhe përçarjen. Ai ka kërkuar votën e vlerës për bashkëjetesën.
“Ky proces i rëndësishëm, kjo komunë e rëndësishme për jetën tonë publike të çdo familje dhe qytetari, është ngjarja më e madhe pas lirisë së Kosovës. Po të mos ishte liria e Kosovës, as Juniku nuk do të ishte. Po të mos ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, as Juniku nuk do të ishte sot. Përkundër sfidave, punëve dhe projekteve të jashtëzakonshme për të cilat gjithmonë është angazhuar komuna e Junikut, vullneti dhe dashuria nuk ishte asnjë pengesë, për të gjitha këto sfida, punë dhe projekte patëm zgjidhje për punë që i kaluam bashkërisht me qytetarët tanë, tha ai.
Më tej, u shpreh se kandidon për shërbime publike, infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe mbështetje për të gjithë kategoritë.
“Ne do të ndërtojmë në gjithë sektorët e jetës publike për zhvillim të qëndrueshëm lokal, për të krijuar vende të reja të punës. Kjo është fitore për mijëra junikas. Unë jam shumë i vendosur dhe i përkushtuar maksimalisht që të jem kryetar i të gjithëve. Këtë nuk mund ta vendosim vetë, por të bashkuar për një Junik rural dhe urban, ku secili prej nesh gra e burra, vajza e djem, për një Junik të prosperuar, i cili është edhe amanet i paraardhësve dhe pasardhësve, ky është obligimi ynë sot dhe nesër”, ka shtuar ai.
Kandidati i AAK-së, Agron Kuçi para junikasve ka thënë se këto zgjedhje nuk duhet të jenë për përfitim çasti, por për jetë më të mirë.
Në Junik të dielën do të garohet për raund të dytë mes Agron Kuçit të AAK-së dhe Ruzhdi Shehut nga Lidhja Demokratike e Kosovës.