Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se do të vazhdojë kundërshtimin e atyre që sipas tij bazohen në të dhënat e Millosheviqit. Derisa prokurori e ka pyetur nëse do të pengonte punën e Dhomave të Specializuara, Haradinaj ka thënë se DhSK duhet të ndryshojë qasjen dhe të merret me të gjitha krimet duke mos vepruar në mënyrë një-etnike.
Haradinaj ka thënë se është kundër çdo gjykate selektive, derisa ka përsëritur kërkesën e tij që Specialja të gjykojë të gjitha krimet në të kundërtën, ka thënë se është për shfuqizimin e saj nëse ajo vepron në mënyrë një etnike.
“Varri më qet nga dheu mos me kundërshtu Millosheviqin unë”, ka thënë Haradinaj derisa nuk i ka mbajtur lotët.
Haradinaj ka thënë se do të mbështeste këtë gjykatë nëse e njëjta do të merrej me të gjitha krimet.
“Në momentin që e shtini zbulimin e të gjitha krimeve, ndryshoni qasje, prandaj janë këto që njerëzit nuk ju duan, kështu po reflektoni ndoshta është e gabueshme, kështu po reflektoni dhe është mirë dikush të thotë si po reflekton, është ndihmë, duhet me qenë falënderues, me sjelljet e juaja kështu po reflektoni. Njeriu që ka dënuar me vdekje njerëz, Vukçeviç nëse guxohet me fol, gjatë luftës, njeriu i parë i Millosheviqit, dyshi njeriu i parë i Millosheviqit, dhe t’i referoheni këtyre, çka mendon që ata mendojnë për shqiptarët, patologjikisht ata e kanë krijuar sendoren me i urrejt shqiptarët, nuk mund të vijë asgjë tjetër, edhe nëse vjen e drejtë besomani nuk do të jetë e besueshme prej popullit tim, 100 vjet na kanë vrarë, pre, grirë”, ka thënë Haradinaj.
Nasim Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK vazhdimisht ka kërkuar futjen e një amandamenti në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe se kjo vazhdon të jetë kërkesë e tyre me qëllimin e vetëm që gjykata të merret me të gjitha krimet.
“Ne kemi kërkuar futjen e një amendamenti që parashikonte hetimet për të gjitha krimet e kryera, pavarësisht se kush i ka kryer ato. Këtë po e them. Për të qenë të qartë se ne nuk po kërkonim shfuqizimin apo mbylljen e DhSK-së, ju e keni qitë këtë se e kemi lyp ne shfuqizimin, ne kemi lyp një amandamentim ,me e shti me u ndjek kjo çka e thash më lartë, të gjitha krimet, dhe nëse kjo prokurori e pranon që nuk po do me i ndjek të gjitha krimet unë po të them edhe njëherë ne nuk po mundemi ta shfuqizojmë se ju jeni shtet paralel, Kosova e ngratë atje veç rri i tregojnë përralla shoqi’shoqit ata deputetë që e kanë çuar gishtin, se ju tash ja jepni fuqinë vetës, ju nuk e pyesni hiç Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se është për shfuqizimin e gjykatës nëse e njëjta nuk pranon të merret me të gjitha krimet e luftës në Kosovë, pavarësisht etnisë.
“Po do ti me më detyru me dalë kundër të drejtave të popullit tim, prano ti këtë që e ke kështu, që unë po ta pranoj nuk jam me ty nëse ti je monoetnik, nëse ti je selektiv, nëse ti nuk do me i qit kriminelët përpara këtu por do me saju të tjerë në bazë të dëshmisë së kriminelëve që e ke koordinator, unë po them jam kundër teje, dhe këtu jam kundër teje. Dhe nëse vazhdon dhe ma krijon këtë bindje unë e ndërpres dëshminë qoftë edhe me dëmtimin tim person, jam kundër atyre që duan të përlyejnë luftën dhe shtetin tim…13.13. Ju po dëshironi që DhSK-ja të rrëzohet ose ta paraqitni të tillë. Ne po dëshirojmë që DhSK-ja të përmirësohet ku ka mundësi, t’i ndjek të gjitha krimet, asgjë tjetër, a po të pengon kjo ty, nëse kjo të pengon po të them edhe njëherë, po du me u rrëzu nëse të pengon kjo me i ndjek të gjitha krimet, du me u rrëzu nuk du me ju pa hiç”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj po përgjigjet në pyetjet e prokurorisë dhe kjo është dita e tij e dytë në bakën e dëshmitarit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.