Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroinën Aze Brahimaj në 25-vjetorin e përjetësimit. Haradinaj po ashtu ka kujtuar edhe tre të tjerë të rënë me 3 gusht 1998.
“Në 25 – vjetorin e rënies, nderojmë heroizmin e nënës Aze, e gjithashtu sakrificën e nënës së saj Zize Syla dhe të rënëve të tjerë të 3 gushtit 1998, Idriz Gucati, Sejdi e Arif Kasumaj. Një nënë luftëtare si ajo, është unike në historinë tonë të re dhe sot kur e kujtojmë me pietet, duhet të vëmë në pah se lavdia e UÇK-së nuk do ta kishte përmasën që e ka pa nënat tona të papërkulura. Trimëria, guximi dhe vendosmëria e saj deri në vetëmohim, e bën të veçantë dhe të paharruar në kujtimin e brezave”, shkroi Haradinaj.
Kontributi i nënë Azës, në luftën për çlirimin e Kosovës vlerësohet i madh. Gjyshja e Ramush Haradinajt nga ana e nënës, në radhët e UÇK-së bashkë me krejt familjen ishte inkuadruar qysh në vitin 1996.
Me krijimin e celulave të para të UÇK-së, në Dukagjin, ajo priti në shtëpinë e saj, i strehoi, ju dha bukë, luftëtarëve çlirimtarë më vonë dëshmorë të kombit si: Zahir Pajaziti, Mujë Krasniqi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan e Shkelzen Haradinaj, Abedin Rexha, Bedri Shala, ABEJA-ja, Xheladin Gashi, Xhelal Hajda, pastaj edhe Sylejman e Rexhep Selimit, Ramush e Daut Haradinaj, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, Sahit e Musë Jasharit, Nait Hasani, e shumë të tjerë. Të gjithë këta e të tjerë nëna Azë i priste i përcillte, u jepte bukë, u jepte moral për luftën.
Ndihmesë të madhe luftës çlirimtare i dhanë edhe njësitë logjistike që shërbenin në zonat e lira pranë komandave, pastaj njësitë mobile që bënin lidhjet me logjistikën nëpër vende të ndryshme. Një kontribut të tillë dha edhe Azë Brahimaj, e cila shumë herë gjatë veprimtarisë së saj ilegale e legale kishte rrugëtuar nëpër vende të ndryshme të Kosovës, për të kontaktuar me grupe dhe për të mbajtur lidhjet e tyre si atë të Jabllanicës e Gllogjanit e të tjera.
Kur luftëtarët çlirimtarë nuk kishin mundësi lëvizjeje, në rrethana të caktuara të luftës, sidomos gjatë ditës kur ndodheshin në ndonjë bazë, ishte nëna Azë, ajo që shkonte e dërgonte porositë e caktuara, njëjtë sikur kishte vepruar në Prekaz, Sala Jashari.
Me mund dhe pa u kursyer në moshën e saj të pleqërisë, ajo gatuante bukë dhe u mbante lidhje luftëtarëve të lirisë, që qëndronin me ditë e javë në shtëpinë e saj. Ajo mbahej krenare për bijtë luftëtarë, për Lahiun që ishte pjesë e kreut të luftës, për nipat në Gllogjan të cilët mbanin mbi supe fatin e luftës në Dukagjin. E vetëdijshme për pozitën me të cilën e kishte ballafaquar koha, ajo kishte marrë vendimin e saj definitiv, të qëndronte në shtëpi dhe ta mbronte konakun e burrit e të vetin, ku kishte lindur e rritur bijtë e bijat dhe ku kishte jetuar me nder e dinjitet.
Me 2 gusht të vitit 1998 në ofensivën që ndërmori ushtria serbe, nëna Aze nuk pranoi të largohej nga shtëpia. Ajo kishte ndarë mendjen me kohë dhe donte të qëndronte në shtëpi e të ishte krah për krah me djemtë e saj, që luftëtarëve të lirisë të mos u mungonte buka. Me 3 gusht të vitit 1998 forcat vrastare e vranë në oborr të shtëpisë, së bashku me nënën e saj Zizën, 100 vjeçare, e cila ndodhej te bija e saj.
Atë ditë nëna Azë e shpagoi veten. Ajo i zbrazi dy bombat e dorës, që i kishte ruajtur me muaj për një sulm të tillë. Nëna Azë u bë e pavdekshme me veprat e saja. Ajo vuri vetën në shërbim të interesave të kombit, nuk u kursye për asgjë deri në momentin e fundit të jetës së saj.
Pas vdekjes, është dekoruar me mirënjohje nga ish-presidentët Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.