Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar betejë e zhvilluar më 12 maj 1998 në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin e Malësi të Vogël, duke thënë se shënoi një kapitull të ri për luftën çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se atë ditë ranë heroikisht Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina.
“Një vit më pas, ra dëshmor një nga luftëtarët më të zotë të UÇK-së në rrethin e Anadrinisë, Bedrush Gashi. Me të drejtë, 12 maji shënohet si Ditë e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit. Po ashtu në të njëjtën datë, më 1998, u përjetësua udhëheqësi i njësiteve të hershme guerile të UÇK-së, Agron Rrahmani. Agroni që u vu në ballë të organizimit të Luftës Çlirimtare, mbetet përgjithmonë shembull qëndrese dhe atdhedashurie. Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës! Respekti dhe mirënjohja për sakrificën e tyre sublime do të jetë i përhershëm”, ka shkruar ai.