Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër kundër “marrëveshjes për targat”. Ai ka kërkuar që qeveria menjëherë ta publikojë tekstin integral të kësaj marrëveshjeje, duke shprehur shqetësimin, nëse veriu po trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e vendit.
“Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Haradinaj ka kundërshtuar edhe njëjtësimin që qeveria i bëri njësive speciale të policisë dhe grupeve kriminale, si dhe angazhimin e KFOR të kryejë punët që iu takojnë institucioneve tona shtetërore.
“Poashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje per sovranitetin e Kosovës! Po ashtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontroll ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën“, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vazhduar duke thënë se “Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës”, duke tërhequr vërejtjen se “Askush nuk ka mandat të nënshkruajë kurrfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit”.