Komuna e Hanit të Elezit nuk do të shkojë në rivotim. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mehmet Ballazhi do të jetë kryetar i kësaj komune i cili doli i pari në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor.
Kështu vendosi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) pasi që Supremja e ktheu në rivendosje ankesën e kandidati të pavarur të kësaj komune, Rufki Suma.
Në vendim thuhet se “pranohet pjesërisht e bazuar ankesa Anr.6933/2021 e datës 18.10.2021, e paraqitur nga kandidati Rufki Suma, nga Komuna e Hanit të Elezit, ndërsa Subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës, në seli në Prishtinë, i shqiptohet dënim me gjobë në lartësi prej 10, 100.00 euro, përshkak të shkeljes së kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, me rastin e thyerjes së heshtjes zgjedhore, për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021”, thuhet në vendim.
Tutje thuhet se “Detyrohet, subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës, me seli në Prishtinë që gjobën e shqiptuar si në pikën e 1 të dispozitivit të këtij vendimit, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e pranimit të këtij vendimi, nën kërcënimin e dënimit shtesë”.
Ndërsa “Refuzohet e pabazuar pjesa e ankesës së kandidatit për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, kandidat i pavarur, me të cilën ka kërkuar që të anulohet procesi i votimit për zgjidhjet lokale të datës 17.10.2021, vetëm për kryetar komune, përshkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.