Deputeti i Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti ka deklaruar se mënyra si Qeveria Kurti 2 po e prezanton vettingun është një tendencë për kontrollim të drejtësisë.
Ai në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, kritikoi programin qeverisës, të cilin e quajti më shumë si program të dëshirave sesa të planeve konkrete.
“Kur flitet për vettingun kam përshtypjen se njerëzit ose elektorati dhe mendësia e disa këtu i sheh hekurat e burgut, ose prangat në duar të dikujt. Unë jam ithtar i vettingut, por ne e kemi parë, e kemi kaluar një herë vettingun në drejtësi, por ai nuk ka qenë i suksesshëm. Mënyra qysh po prezantohen është një tendencë për ta marrë në kontroll drejtësinë dhe për t’i dhënë mundësi pastaj opozitës për ta akuzuar qeverinë për kapje të shtetit, ashtu siç na keni akuzuar neve për nja 10 vjet”, tha ai.