Mungesa e liberalizimit të vizave u shkakton problemeve jo vetëm qytetarëve, por dhe familjarëve të personave nga Kosova të akuzuar nga Gjykata Speciale, që gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Mesi i gushtit ishte hera e fundit kur Musli Gucati vizitoi në Qendrën e Paraburgimit, babain e tij të gjykuar nga Dhomat e Specializuara. Por qëndrimi i tij në Hagë të Holandës nuk zgjati më shumë se tri ditë, sepse viza e tij nuk i lejonte një vizitë më të gjatë në Hagë, ku mbahet i arrestuar për gati 2 vjet babai i tij .
“Një muaj përpara duhet ta bëjmë kërkesën dhe pastaj t’i rregullojmë të gjitha dokumentet, të cilat i përcjellim te Qendra e Paraburgimit. Ata ua përcjellin autoriteteve holandeze, të cilët na lënë të presim një muaj për t’u pajisur më vizë, dhe krejt në fund vizën na e japin vetëm për tri ose katër ditë. Aq sa edhe e kemi vizitën në Qendrën e Paraburgimit”, tregon Musli Gucati.
Familjarët theksojnë se kjo procedurë, jo rrallë u ka shkaktuar probleme të shumta gjatë rrugëtimit drejt Hagës. “Ka pasur raste kur jemi detyruar ta kalojmë natën në aeroporte kur janë anuluar fluturimet, dhe neve nuk na është lejuar të dalim nga aeroporti për shkak së nuk kemi pasur vizë” – tregon Musli Gucati i cili e quan procesin të mundimshëm, jo të drejtë dhe burokratik.
Babai i tij, Hysni Gucati, është dënuar nga Gjykata Speciale me 4 vjet e gjysmë burgim për pengim të drejtësisë. Kosova është një nga vendet e vetme europiane që qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm pa viza. Prandaj familjarët e të akuzuarve kërkojnë nga Gjykata Speciale që institucionet të bëjnë marrëveshje me Holandën në mënyrë që vizat të jepen për periudha më të gjata kohore.
Në Gjykatën Speciale aktualisht po përballen me akuza për krime lufte tetë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Salih Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Pjetër Shala. Kurse, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë për pengim të drejtësisë e frikësim të dëshmitarëve.
Probleme në pajisjen me vizë nuk kanë vetëm familjarët e të akuzuarve. Por, në disa raste, edhe avokatët. Taulant Hodaj, avokat i licencuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, shprehet se e drejta e vizitës është e përcaktuar në Rregulloren e Gjykatës Speciale, Konventat ndërkombëtare dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por proceduara është e ndërlikuar.
“Procedura është e ndërlikuar në raport me vizitat e familjarëve, duke filluar nga largësia, pastaj pajisja me vizë dhe aranzhimi apo caktimi i vizitave. Të gjitha këto e komplikojnë procedurën pranë Gjykatës Speciale. Besoj që kjo çështje mund të ngrihet edhe nga avokatët mbrojtës të të paraburgosurve dhe të njëjtit t’i shterin mjetet juridike në dispozicion nëse mendojnë që po i shkelen të drejtat e klientëve të tyre”, thotë Hodaj.
Në vend të një marrëveshje të re Kosovë-Holandë, avokati Hodaj propozon që të sigurohet zbatimi i marrëveshjes së parë të nënshkruar.
“Ekziston një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Holandës që në mënyrë të përgjithësuar e rregullon këtë çështje. Më efektive do të ishte që vetë Gjykata të nxjerrë udhëzime më fleksibile në këtë drejtim dhe të informojë shtetin pritës Holandën, besoj që kjo do të ishte zgjidhja më efektive, sesa të pritet një marrëveshje tjetër ndërmjet Kosovës dhe Holandës, që sipas mendimit tim ka pak gjasa të ndodhë”, thotë avokati Taulant Hodaj.
Për vështirësitë që kanë familjarët për pajisje me viza për vizitë në Hagë është njoftuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i cili propozon që familjarëve t’u jepen vizat për të paktën një periudhë njëvjeçare dhe kjo të bëhet me marrëveshje ndërmjet Ministrive të Jashtme.
Për këtë çështje KMDLNj ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Jashtme të Kosovës. Mundësia e lehtësive për pajisjen me viza për familjarët e të akuzuarve, është specifikuar në Marrëveshjen që ekziston mes Holandës dhe Kosovës. Aty thuhet se procedurat e lehtësuara vlejnë vetëm për bashkëshortët dhe fëmijët e të akuzuarve, por nuk përmendet kohëzgjatja e pajisjes me vizë.
“Ne mund t’u sigurojmë se Holanda ende lehtëson vizitat familjare (dmth. për bashkëshortët dhe fëmijët) tek të paraburgosurit në përputhje me detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Shtetit Pritës ndërmjet Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Kosovës në lidhje me Mikpritjen e Institucionit Gjyqësor Special të Kosovës të zhvendosur në Holandë”, thuhet në një përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Holandës.
“Të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së të paraburgosurit janë gjithashtu të lirë të vizitojnë anëtarët e familjes së tyre të ndaluar, por ata nuk kualifikohen për vizë të lehtësuar nga shteti pritës. Aplikimet e tyre për viza trajtohen përmes kanaleve të rregullta. Kjo politikë zbatohet për të gjitha Gjykatat dhe Tribunalet për të cilat Holanda është shteti pritës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Holandës.
Edhe Dhomat e Specializuara të Hagës kanë bërë të ditur se i kryejnë detyrimet e tyre, bazuar në udhëzimet që janë në fuqi lidhur me çështjen e vizave për anëtarët e familjes dhe vizitorët e tjerë.
Gjykata Speciale u krijua më 3 gusht 2015, pasi Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kjo për të hetuar akuzat për trafikim organesh pas raportit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e tjera për krime të pretenduara të luftës, të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Financues të kësaj gjykate janë Bashkimi Evropian si dhe Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /DW/