Organizata joqeveritare “Ngritja e Zërit”, ka dorëzuar për herë të nëntë dosje në Gjykatën Kushtetuese rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë së aktit juridik të Gjykatës Supreme, me rastin e refuzimit të padive për kompensimin e dëmeve të luftës.
Meqë padia e bërë sot përkoi me fushatën zgjedhore, drejtori i kësaj shoqate, Jahir Bejta, ka apeluar tek subjektet politike që të fusin në programet e tyre edhe çështjen e dëmeve të luftës.
Ai tha se deri më tani nga gjyqësori kanë marrë vetëm përgjigje negative për shkak siç thotë ai të ndikimit politik në institucionet e drejtësisë.
“Kosova nuk do të padisë Serbinë për dëmet e luftës, gabim. Sot për herë të nëntë jemi duke i dorëzuar dosjet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë të aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës. Tani sot kur po dorëzohen dosjet, është koincidencë që jemi në fushatë zgjedhore, ndaj i kisha pyetur pretendentët për të parin e shtetit dhe kandidatët për kryeministër se a i kanë të përfshira në programet e tyre dëmet e luftës, dhe nëse jo, gabim. Preferoj që t’i përfshijnë ato. Sa unë kam lexuar në media nuk i kanë pasur dëmet e luftës. Mjerisht gjyqësori jonë i ndikuar nga politika është vazhdimisht duke refuzuar paditë edhe pse në kundërshtim me dispozitat ligjore”, tha ai.
Ai paralajmëroi se nuk do të ndalen derisa të marrin përgjigje pozitive për shqyrtimin e këtyre dosjeve.
“Varet nga organet e drejtësisë së Kosovës, nëse ato shkëputen nga politika dhe fillojnë t’i shqyrtojnë, ne do të vazhdojmë. Ne kemi marrë përgjigje negative, gjoja se lëndët me element ndërkombëtar nuk kanë të drejtë t’i shqyrtojnë pa marrëveshje ndërkombëtare dhe kryesisht thirren në jokompetencë dhe sikurse Serbia ka imunitet dhe nuk mund të paditet”, shtoi ai.
Deri më tash organizata joqeveritare “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar 120 dosje në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa sot dorëzoi 3 sosh.