Nuk mund të lejojmë një tjetër Krime apo Donbas në veri të Kosovës, ka thënë deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Etilda Gjonaj, gjatë fjalimit të saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Derisa po diskutohej për situatën në Kosovë, pas agresionit serb më 24 shtator, Gjonaj ka bërë thirrje për “çlirim nga ethet e nacionalizimit” duke theksuar se çdo situatë që vë në rrezik sovranitetin e territorit nuk është në interes të Evropës.
“Unë dua t’u bëj thirrje sot jo mendjeve të pamatura, por të gjithë mendjeve të arsyeshme, delegacioneve këtu, që duhet të çlirohemi nga ethet e nacionalizmit. Nuk është në interes të popullit tonë. Çdo situatë që vë në rrezik jetën e qytetarëve, sovranitetin e territorit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut nuk është në interes të rajonit, të Evropës. Fundamentalistët janë të rrezikshëm për demokracinë, lirinë dhe shoqërinë. Këtë po e shohim në Kosovë, Ukrainë dhe vetëm dy ditë më parë në Izrael. Nuk mund të lejojmë një tjetër Krime apo Donbas në veri të Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se nuk duhet lejuar të ndodhë në Kosovë ajo çfarë ka ndodhur në Ukrainë pas agresionit rus.
“Këshilli i Evropës u krijua si një organizatë vlerash për të promovuar dhe për të mbrojtur këtë qetësi, demokraci dhe vlera themelore, siç është e drejta për liri. Ne nuk mund të vëmë në dyshim të drejtën e lirisë. Këtu nuk po flasim për privilegje, por për jetën e njerëzve. Në shekullin e njëzet e një, kjo lloj fantazme e krijuar në Ukrainë nuk mund dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet në Ballkan. Asambleja Parlamentare duhet të dënojë këtë veprim dhe të kërkojë një hetim të plotë dhe t’u imponojë të gjithë anëtarëve se çdo sulm i ngjashëm është një vijë e kuqe”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës për çka sipas saj “ky është momenti”.