Edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj prej kur vërshimet ua dëmtuan shtëpitë dhe bizneset, banorët e veriut të Mitrovicës ende po presin kompensim për dëmet.
Disa prej familjeve janë kthyer në shtëpitë e tyre ku po vazhdojnë të jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, ndërsa shumë të tjera akoma nuk po mund të kthehen dhe po jetojnë te familjarët në jug të qytetit dhe gjithandej.
Të prekurit e “Lagjes së boshnjakëve”, ku dëmet edhe sot janë të dukshme, thonë se po ballafaqohen me gjendje të rëndë, ndërsa ankohen në institucione për mos interesim total ndaj tyre.
Avni Peci, përfaqësues i “Lagjes së boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, njëherësh anëtar i komisionit vlerësues për dëmet nga vërshimet, është njëri prej atyre, shtëpia e të cilit pësoi dëme të mëdha dhe i cili nuk po mund të kthehet ende në shtëpinë e tij. Ai bën të ditur se me njëmbëdhjetë anëtarë të familjes jeton në banesën e dhëndrit në jug të qytetit, i cili këto ditë kthehet nga diaspora për pushime dhe duhet ta lirojë banesën, ndërkohë që thotë se nuk di nga t’ia mbajë.
Sipas tij, janë 67 familje të cilat janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve të pësuara dhe të cilat akoma nuk po mund të kthehen. Ai thotë se në mesin e të shpërngulurve ka të sëmurë kronikë, ndërsa potencon se janë drejtuar për ndihmë tek të gjitha institucionet lokale e qendrore, por deri tash nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Peci thotë se në rast se shqiptarët e veriut janë peng të politikës, të paktën të informohen, në mënyrë që banorët të vendosin nëse duan të vazhdojnë të jetojnë në veri, ose ta braktisin atë pjesë përgjithmonë.
“I kemi 97 shtëpi së bashku me biznese të cilat janë të dëmtuara. Ka prej tyre që janë kthyer nëpër shtëpi, por e kanë gjendjen të mjerueshme… Edhe më e dhimbshme është se ka të shpërngulur në jug, ku tash kemi ardhur në fazën e pushimeve… kanë me ardh familjarët (nga diaspora) dhe ka me ardh në pikëpyetje edhe banimi i tyre tash, atyre duhet me ua liru banesat dhe ku me u sistemu tash…Unë jam 11 anëtarë, me dy vëllezër dhe fëmijët e tyre, si dhe nëna. Jetojmë në jug… në banesën e dhëndrrit…. Ka shtëpi… të cilat janë konstatuar se nuk guxojmë me u kthy sepse shtëpitë kanë ‘fjetë’, janë qarë dhe ka rrezik për anëtarët e familjes… 67 familje i kemi të shpërngulura nga veriu i Mitrovicës, dhe tash nuk po e di a jemi ne peng i një politike të gabuar, apo jemi të shfrytëzuar për një politikë të gabuar si peng. Thjesht këtu janë të dëmtuara të gjitha komunitetet… Është e mjerueshme sepse prej të dëmtuarve kemi njerëz me sëmundje kronike, janë në dializë, me diabet etj… Kemi kontaktuar me pushtetin lokal, Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, veç në Ministrinë e Financave nuk kemi arritur për me i drejtu problemet tona… Në qoftëse ne jemi peng i politikës, të paktën me na informu në mënyrë që ne të vendosim nëse do të vazhdojmë të jetojmë në veri të Mitrovicës dhe me u sakrifiku, apo me gjetë një zgjidhje të dytë”, thotë Peci.
Bajram Kuçi, banor i veriut të Mitrovicës, tha se së bashku me katër anëtarët e familjes jeton në shtëpinë e kushëririt në jug të qytetit, sepse shtëpia e tij ka pësuar dëme të mëdha nga vërshimet dhe nuk është e sigurtë për banim.
Nuk ka mundësi për ta rregulluar vetë shtëpinë, vazhdoi ai, ndërsa tha se ka tentuar ta takojë kryetarin e ri të Mitrovicës Veriore për këtë cështje, por sic tha, ai nuk ka dashur ta takojë.
“Jemi katër anëtarë të familjes, në këtë shtëpi kemi jetuar, por tash pas vërshimeve askund nuk jemi… S’kemi para ta rregulluar shtëpinë… Jam duke jetuar tek një kushëri i imi në jug… Jam interesuar gjithkah, ‘sot’, ‘nesër bëhet’, ‘bëhet’, s’ka asgjë qe gjashtë muaj… Po, kemi provuar me fol (me kryetarin e Komunës), nuk ka dashtë me dalë”, thotë Kuçi.
Edhe banori tjetër i kësaj lagjeje, Halil Hakaj, thotë se ende nuk është kthyer në shtëpinë e tij të dëmtuar, ndërsa shton se nuk ka mundësi vetë ta rregullojë atë.
Duke treguar se është i sëmurë, nuk mund të ecë dhe se është operuar dy herë nga boshti kurrizor, ai ankohet në institucionet, për të cilat thotë se edhe pas gjashtë muajsh nuk ju kanë dalë në ndihmë.
“Po bëhen gjashtë muaj, sendet janë ende në oborr duke u pastruar… Dyert ende nuk i kam montuar, nuk kam të holla, nuk na kanë ndihmuar absolutisht as nga 2 mijë e 500 që kanë thënë komuna, as asgjë. Nuk po di pse po flejnë, nuk po di kujt me ju drejtu. Jam te vëllau duke banuar, vij shpesh herë këtu e ruaj shtëpinë mos po vjedhë dikush ndonjë gjë… Dy herë jam operuar prej kurrizit, s’mundem me lëvizë, nuk mundem me ecë…Ato të holla sado pak që na i premtuan, as ato nuk na i dhanë, kemi mbetur në mëshirën e askujt”, shprehet Hakaj.
Veton Syla, së bashku me bashkëshorten qe gjashtë muaj është duke jetuar te vjehrra në Vushtrri. Ai sqaron se përkundër dëshirës së madhe për t’u kthyer në shtëpinë e tij, një gjë e tillë është e pamundur për shkak të rrezikut nga dëmtimet e mëdha të mureve të cilat janë qarë.
“Për momentin jemi duke jetuar në Vushtrri te vjehrra, sepse shtëpia na është qarë që gjashtë muaj nga vërshimet dhe ende s’kemi pasur ndonjë ndihmë nga askush. Po presim çdo ditë… Dy anëtarë jemi, unë dhe shoqja, por s’kemi siguri këtu sepse shtëpia është qarë aq shumë sa është rrezik këtu me jetu. Prej Vushtrrisë vij këtu nganjëherë me u kujdes për shtëpi sepse po më kushton zemra, por me jetu nuk po guxoj se shtëpia është mjaft e dëmtuar”, tha ai.
Ndërkaq, një familje katër anëtarëshe e komunitetit serb e cila jeton poashtu në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës dhe shtëpia e tyre është prekur nga vërshimet, ka bërë të ditur se është kthyer para një muaji në shtëpi. Siç pretendon zonja e shtëpisë, kjo falë ndihmës që ju ka ofruar komuna paralele e Mitrovicës Veriore, e cila vepron sipas sistemit të Serbisë. Sipas saj, është dashur t’iu dalë në ndihmë edhe Qeveria e Kosovës ose Komuna.
“Jemi katër anëtarë të familjes, unë, bashkëshorti dhe dy fëmijë, ndërsa jemi kthyer në shtëpi para një muaji… Një shtrat e kemi blerë për fillim dhe bashkëshorti diçka po renovon, po lyen.. Akoma nuk kemi përfunduar, për çdo ditë ngapak po punojmë… Kam shkuar te kryetari i ri i komunës, por s’kam mundur ta gjej, nuk ka qenë aty… Ky është tash muaji i shtatë, dhe mendoj se është dashur ndonjë ndihmë të na jap Qeveria e Kosovës ose komuna këtu”, thotë ajo.
Në anën tjetër, i kontaktuar nga KosovaPress, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.
“Është temë e ndjeshme dhe nuk mund të deklarohem”, ka thënë shkurt Atiq prapa kamerës.
KosovaPress-i ka dërguar pyetje në adresë të MAPL-së dhe Ministrisë së Financave, për të marrë një sqarim rreth kësaj problematike, mirëpo deri në momentin kur po raportojmë ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, vlera e dëmit nga vërshimet e janarit të këtij viti në veri të Mitrovicës, ku janë përfshirë 97 familje së bashku me biznese, llogaritet të ketë qenë mbi 800 mijë euro, ndërsa kompensimi i dëmit nuk është bërë as nga fondi komunal i destinuar për të prekurit, ku në muajin maj ishin ndarë 300 mijë euro.