Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mbulimit Universal me Shërbime Shëndetësore, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK mbajti një tryezë me temën “Pse pas 8 vjetësh nga miratimi i ligjit nuk kemi sigurime shëndetësore?!”.
Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se ngritja e sigurimeve shëndetësore është sfidë për sektorin e shëndetësisë. Ajo tha se aktualisht po punojnë në SISH, por edhe se reformat e tyre përfshijnë edhe aspektin e sigurimeve shëndetësore. Implementimi i skemës të sigurimeve shëndetësor, Gexha tha se është priorotet i MSh-së.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se ligji aktual ka nevojë për plotësim-ndryshime, derisa theksoi se i gjithë fokusi i Fondit për Siguri Shëndetësore është kthyer vetëm tek trajtimi jashtë vendit. Kollçaku tha se aktualisht janë në fazën e përgatitjes së pakos bazike për sigurime shëndetësore.
E u.d. i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri tha se 80% i aktivitetit të Fondit fokusohet në programin për trajtim jashtë vendit në program me të cilin sipas tij, janë evidentuar shumë probleme por edhe borxhe mbi 30 milionë euro. Ai tha se deri më tani nuk është bërë asnjë ndryshim në udhëzimin administrativ sa i takon këtij programi.
Kaçuri u shpreh se përkundër sfidave që kanë me një plan konkret dhe harmonizim të gjithë akterëve shpresojnë që në një të ardhme jo të largët të fillojnë implementime të skemës për sigurime shëndetësore.