UBT News

​Gazetarja ukrainase mirënjohëse ndaj Kosovës

Gazetarja ukrainase që ka mbërritur dje për strehim në Kosovë, Lydumila Makey është shprehur mirënjohëse ndaj institucioneve të Kosovës për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Në një konferencë për medie të hënën, ajo tha se dhimbja e vendit të saj ndihet në Kosovë.

“Më ka bërë shumë përshtypje sesi dhimbja e vendit tim ndihet në zemrat e popullit të Kosovës. Ajo godet, pasi e di sa është e vështirë të shërosh plagën e lënë nga një luftë e tmerrshme në shpirtin e vendit tim… I jam mirënjohëse Qeverisë së Kosovës për mbështetjen për popullin e Ukrainës në një moment të vështirë”, tha ajo.

Ajo tha se puna si gazetar në Ukrainë është bërë e rrezikshme pas agresionit rus. Ajo tregoi edhe përshtypjen e saj për Kosovën dhe punën që do të bëjë gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Secilin prej nesh e kupton se fjala është arma jonë që e afron fitoren. Fatkeqësisht puna si gazetar në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme… Rusët i vrasin të gjithë, pavarësisht nga mosha, gjinia, kombësia apo profesioni… Kur dëgjova herën e parë për Kosovën vendosa të jem këtu pasi më është dukur interesant të shikojë me sytë e mi si është jeta në Kosovë. Unë kam gjithçka këtu për të punuar, kam telefonin, kompjuterin dhe të tregojë gjithçka çka kam në plan. Më besoni jo krejt kolegët e mi e kanë këtë mundësi”, shtoi Makey.

Nga Qendra Evropiane për Liri të Medias (ECMPF), Flutura Kusari, tha se janë duke shqyrtuar kërkesa të tjera nga gazetarët ukrainas që dëshirojnë të vijnë në Kosovë.

“Kjo është gazetarja e parë, nga 20 sa po i presim. Kemi aktualisht disa kërkesa të tjera nga gazetarët nga Ukraina që dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe jemi në proces të verifikimit të tyre… Me buxhetin që është ndarë 150 mijë euro për gjashtë muaj, gazetarët që do të vijnë në Kosovë do të marrim 500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 euro për qira të banesës dhe rreth 1000 euro për udhëtim për të ardhur në Kosovë dhe kthyer në vendin e tyre kur të vjen koha e duhur”, theksoi ajo.

I gatshëm për bashkëpunim u shpreh edhe kryetari Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për AGK-në, është solidaritet dhe jam shumë krenar me punën që është bërë dhe do të bëhet. Po ashtu me gjithë vullnetin e kolegëve për të ndihmuar gazetarët nga Ukraina”, tha ai.

Javë më parë, mes sanksioneve të shumta ndaj Federatës Ruse për agresionin në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 150 mijë euro për strehimin e rreth 20 gazetarëve ukrainas për gjashtë muaj në Kosovë.

Exit mobile version