Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh se çështja e veteranëve është delikate, kurse shtoi se Qeveria nuk është e gatshme ta diskutojë këtë temë. Sipas tij, zgjidhja që duhet bërë për veteranët e luftës duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Çështja e veteranëve të luftës është çështje delikate. Si duket Qeveria nuk është e gatshme që me e trajtua në esencë çështjen e kompensimit për veteranët e luftës. Qasja që ka qenë deri tani është e pamjaftueshme dhe në momente të caktuara e vërteta është se ka dhënë rezultate negative në mirëqenien e veteranëve… Zgjidhja që është dashur me u bë është dashur të jetë më gjithëpërfshirëse, e cila ofron një mënyrë më të mirë të kompensimit dhe që mundëson një jetë më të dinjitetshme. Njoh personalisht plot veteranë të luftës të cilët e kanë lëshuar vendin e punës për ta marr kompensimin dhe dëmi është bërë i shumëfishtë ose kanë dalë në tregun e zi të punës. E para, sepse persona që janë të aftë me punu djem dhe vajza të reja kanë dalë nga vendi i punës dhe nëse kthehen në tregun e punës me një pagë mesatare 350 euro ata e humbin benficionin ndërkohë zgjidhja që është dashur me u bë që do të ishte më gjithëpërfshirëse dhe tu mundësohej që të merrej kompensimi… Duke e pasivizuar efektin ekonomik dhe social e kemi bërë negativ dhe i kemi nxjerr prej tregut të punës me mijëra veta, tregu i punës ka nevojë për fuqinë e tyre punuese por dhe ata kanë nevojë për mundësi për të përmirësuar jetën dhe kualitetin e tyre dhe të kualitet të tyre”, u shpreh Gashi.
Sipas tij, për këtë çështje duhen bisedime substanciale.
“Mendoj se duhen bisedime substanciale me e pa çka po ofrojmë na për këtë kategori të shoqërisë dhe qysh i bëjmë aktiv në tregun e punës”, u shpreh ai.