Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesën 10 për qind të pagës për punëtorët shëndetësorë të sektorit publik për tre muajt e ardhshëm, përfshirë muajin gusht, duke thënë se ai është skandaloz dhe ofendues.
FSShK shpreh indinjatën dhe zhgënjimin e thellë të punëtorëve shëndetësorë në lidhje me këtë vendim duke qenë se punëtorët shëndetësor kanë punuar dhe ofruar shërbime shëndetësor edhe gjatë muajve qershor dhe korrik 2021 e me këtë rast është shkelur Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë, respektivisht neni 20 në të cilin parashihet shtesa në pagë për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë.
Sipas FSShK-së, me këtë vendim Qeveria në sy të popullit po mundohet të tregohet populliste dhe mbështetëse kinse e punëtorëve shëndetësor por në fakt ky është vetëm një degradim i radhës, thuhet në reagim.
FSShK ka bërë të ditur se që sot është duke i kontaktuar forumet e veta dhe javën tjetër do të mblidhet Këshilli Drejtues si organ më i lartë vendimmarrës për të vendosur në lidhje me reagimet sindikale.
“Në fund me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës kundrejt punëtorëve shëndetësorë nuk do të ketë paqe sociale dhe për të gjitha dëmet e shkaktuara përgjegjëse do të jetë Qeveria e Kosovës. FSShK do të gjejë modalitetin e reagimit sindikal duke mos cenuar dhënien e shërbimeve shëndetësore për popullatë e gjerë”, përfundon komunikata.
Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore si pagë shtesë për punëtorët shëndetësorë të sektorit publik për tre muajt e ardhshëm, përfshirë muajin gusht.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se kjo nënkupton shtesë prej 10 për qind të pagës, dhe është jo më pak se 60 euro në muaj.