Forcës e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2022 e kanë braktisur 127 ushtarë. Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në raportimin e sotëm në Komisionin për Siguri në Kuvend.
Megjithatë, ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij janë rekrutuar 1230 ushtarë, që sipas tij është dyfishi i viteve 2019-2020. Mirëpo, deputetët opozitarë e konsideruan alarmues numrin prej 127 ushtarëve të larguar nga FSK-ja në këtë vit.
Mehaj para deputetëve, ka thënë se janë të përgatitur dhe gatshëm për me mbrojt sovranitetin e vendit, pasi siç tha “Serbisë nuk i besohet kurrë”.
“Serbia është ajo që është. Ne duhet me qenë çdo herë të përgatitur, asaj nuk i besohet kurrë. Ne jemi të përgatitur, jemi të gatshëm të mbrojmë vendin, çdo kohë kurdo që kërkohet”, tha ai.
Ndërkohë, përsëriti aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, për çka tha se janë duke punuar në vazhdimësi për këtë.
“Synimi ynë është anëtarësimi në NATO. Kjo nuk është dëshirë, por vizion i yni i përbashkët që po punojmë në vazhdimësi”, tha ai.
Duke prezantuar punën e tij, Mehaj tha se në kuadër të ngritjes së kapaciteteve operacionale dhe profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë rekrutuar vetëm këtë vit 840 ushtarë të ri.
“Krahas anës ligjore, është punuar edhe në rritjen e numri të ushtarëve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe atyre operacionale. Gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 840 ushtarë të rinj, ndërsa gjatë këtyre muajve të mandatit në total janë rekrutuar 1.230 ushtarë, që është dyfishi i vitit 2020 dhe 2019”, ka theksuar Mehaj.
Megjithatë, pas pyetjeve të deputetëve për numrin e largimeve të ushtarëve nga FSK-ja, këshilltarja e ministrit Mehaj, Liridona Gashi, tha trendi është i njëjtë sikur vitet paraprake dhe se numri prej 127 ushtarëve të larguar nuk është alarmues.
“Janë duke u bërë disa rregullime jashtëzakonisht të mira për të parandaluar daljen e ushtarëve prej FSK-së, edhe pse e dimë se kemi të bëjmë me një shërbim vullnetar. Nëse e shohim në raport me vendet e tjera, 3.5 për qind që është dalja, duke përfshirë edhe pensionimet nuk është një shifër alarmante, pasi është një trend që kemi pa përgjatë viteve në FSK, po ashtu e njëjta ndodh edhe në vendet e rajonit… Nëse e marrim largimet vetëm për këtë vit janë 127, pa i përfshirë pensionimet”, tha ajo.
Por të kundërtën e thanë deputetët opozitarë. Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se çdo ushtar që largohet nga FSK-ja është një humbje e madhe.
“Çdo ushtar dhe çdo polic që largohet nga institucionet e sigurisë është një humbje e madhe për shkak se duhet bukur shumë kohë përgatitje për një kuadër siç është ai i ushtrisë. Përafërsisht në baza mujore diku 16 ushtarë e kanë lëshuar FSK-në, sa kam informacion”, tha Qalaj.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se ky numër i largimeve të ushtarëve nga FSK-ja është alarmues.:
“127 pjesëtarë të largohen për një vit është numër alarmues. Nuk dua të fajësoj ministrinë, por duhet të jetë shqetësim i përbashkët i gjithë neve, pasi është numër i lartë. Pesëfish më shumë se vitet paraprake”, theksoi ai.
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, pyeti ministrin për vlerën e blerjes së armatimit për FSK-në.
“Po më intereson për këtë vit, por edhe vitin e kaluar sa është vlera në total e blerjes së armatimit për FSK-në. Për vitin 2021 dhe 2022”, pyeti ai.
Mirëpo, për këtë çështje, ministri Mehaj nuk pranoi të jap përgjigje para pranisë së mediave.
“Besoj se këtë pyetje është mirë të trajtojmë kur të kemi seancë të mbyllur”, tha ai.
Kësisoj, raportimi i ministrit Mehaj në komision vazhdoi në seancë të mbyllur pa praninë e mediave.