Në Forcën e Sigurisë së Kosovës po mbahet ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së për në misionin e parë paqeruajtës në botë, ku do të jenë krah ushtrisë amerikane në Kuvajt.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se kjo është ditë historike.
“Kam ardhur t’ju them Zoti ju ruajt dhe faleminderit. Misioni gjashtëmujor po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ushtrinë amerikane, paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik”, tha tutje ajo.
Osmani deklaroi se Kosova e bëri lirinë dhe e ndërtoi paqen bashkë me miqtë ndërkombëtarë.
“Ky kontingjent është i vogël në numër, por i madh në përmbajtje dhe mesazh. Këta djem po shkruajnë historinë e re të Kosovës. Si politikanë ndonjëherë mund edhe të mos pajtohemi e të debatojmë ashpër, kjo është pjesë e demokracisë sonë, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, për ushtrinë tonë, si politikanë dhe qytetarë ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Ne te gjithë jemi krenar me ju”, tha Osmani.
Shërbimi i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në mision paqeruajtës në botë po ndodh për herë të parë, e kjo po bëhet përkrah ushtrisë më të madhe në botë.