UBT News

​“Foltorja” e Berishës, Meta nga Korça: Është si vera, sa më shumë kalon koha aq tërheqës dhe më demokrat bëhet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta anashkaloi pyetjen në lidhje me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi demokrat, por u përgjigj shkurt në lidhje me betejën e liderit historik të PD-së për foltoren për një Parti Demokratike më të bashkuar. Nga Korça kreu i shtetit tha se Berisha është si vera sa më shumë kalon koha aq tërheqës dhe aq më demokrat bëhet.

“Nuk dëshiroj të merrem me çështje të tilla se nuk është kjo detyra ime, sigurisht që Berisha është si vera sa më shumë kalon koha aq tërheqës dhe aq më demokrat bëhet”.

Dhe gjatë deklaratës së tij për gazetarët, Meta u fokusua te demokracia që sipas tij është problematike, por shumë më mirë se para zgjedhjeve të 25 prillit.

“Situata e demokracisë në vend është në gjendje problematike, nuk është ashtu siç do të donin shumë, përfshirë dhe mua pas 25 prillit, por shumë më mirë se para situatës katastrofike të 25 prillit, në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues, në kushtet e e zero opozitës në institucione. Pas 25 prillit janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë funksionale, parlament funksional dhe ky është qëllimi ynë kryesor dhe i gjithë qytetarëve që demokracia të funksionojë dhe zëri i atyre të dëgjohet”.

I pyetur në lidhje me deklarata e tij se do të jepte dorëheqjen në rast se Rama do të fitonte 71 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, Meta u përgjigj se protagonizmi i tij ishte i imponuar në mbrojte të demokracisë dhe në kushtet e braktisjes së opozitës nga të gjithë institucionet. Tashmë, kreu i shtetit i bën apel opozitës që të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

“Nuk jemi për të interpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit se ç’kam deklaruar unë. Jam këtu për të zbatuar kushtetutën, kam kërkesa për të dalë në studio e intervista, por e kam gjykuar të panevojshme një gjë të tillë, se gjykoj që protagonizmi im nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por i imponuar në mbrojtje të demokracisë, kushtetutës në kushtet e braktisjes së opozitës nga të gjithë institucionet dhe kushtet e përpjekjes së mazhorancës për të kapur çdo institucion; Gjykatën Kushtetuese dhe institucionin e Presidentit që para zgjedhjeve dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë e ndryshimin e qytetarët. Jam i detyruar të respektoj kushtetutën. Askush të mos presë që presidenti të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë. Opozita të përmbushë përgjegjësinë e saj në parlament. Llogaridhënia të nisë në mbrojtje të interesit publik”./A2

Exit mobile version