Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur të hënën për të shqyrtuar një varg projektligjesh. Në seancën e dytë plenare në sesionin vjeshtor, pritet të miratohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.
Përveç të zakonshmëve, pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, të zgjedhurit e popullit do të shqyrtojnë marrëveshjen ndërkombëtare për ratifikimin e amendamentit për bashkëfinancim për projektin “ Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.
Përkrahje nga deputetët do të kërkohet edhe për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare së financimit, “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Krahas këtyre, deputetët do të shqyrtojnë në lexim të dytë edhe Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligjin për metalet e çmuara.
Ndërsa, pritet të miratohet edhe plani i veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane. Ndërkohë do të shqyrtohen edhe disa raporte të institucioneve që mbikëqyren nga Kuvendi.
Paraprakisht, deputetët do të shqyrtojnë edhe raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, si pikë e mbetur nga seanca e kaluar.