Në kuadër të vitit të personave me aftësi të kufizuara siç është shpallur nga kryeministri i vendit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka marrë vendim për fillimin e zbatimit të masës 1.6 – Mbështetja e personave me aftësi të kufizuara, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Përmes kësaj mase, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të ofrojë mundësinë që personat me aftësi të kufizuara të ndjekin trajnime për zhvillimin e mëtutjeshëm të shkathtësive të tyre. Pra në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes trajnimit në punë (on the job training) mundësohet që të trajnuarit të kenë mundësi më të mira punësimi.
Gjithashtu, kjo masë pritet të shërbejë si nxitje për punësimin e qëndrueshëm, pasi që pas trajnimit, MFPT vazhdon të ofrojë mbështetje financiare për të trajnuarit që fillojnë marrëdhënie të rregullt pune me bizneset ku i kanë ndjekur trajnimet.
Masa implementohet në bashkëpunim me OJQ-të, të cilat do të bëjnë përshtatjen e të të trajnuarve dhe biznesit ku zhvillohet trajnimi. Sipas masës 1.6, mbështetja financiare përgjatë kohës së trajnimeve, që përbënë një fazë 3 deri në 6 mujore, është si vijon:
Të trajnuarit përfitojnë 170 euro në muaj, ndërsa bizneset përfitojnë nga 100 euro në muaj për person. Pas fazës trajnuese, biznesi dhe i trajnuari mund të lidhin marrëdhënie të rregullt pune, e cila po ashtu do të subvencionohet nga shteti, ku për punësim, mbështetja do të jetë 270 euro në muaj për punëtor, për 6 muajt pasues.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjitha OJQ-të që fushëveprimtari kanë mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara, se mund të aplikojnë për të qenë implementuese të masës, dhe se përzgjedhja do të bëhet duke u bazuar në kriteret e përcaktuara në vendim.