UBT News

​Evetar Zeqiri emërohet kryeshef ekzekutiv i KOSTT-it

Bordi i drejtorëve të KOSTT sh.a në mbledhjen e mbajtur dje në mënyrë unanime ka vendosur që të emërojë kryeshef ekzekutiv të KOSTT, Evetar Zeqiri.

Evetar Zeqiri ka studiuar për Master në Administrim Publik (MPA) në Menaxhim Strategjik dhe Lidership në Universitetin e Illinoisit Verior në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si bursist i programit për Lidership Transformues, program ky i bashkëfinancuar nga Qeveria Amerikane përmes USAID dhe Qeveria e Kosovës.

Po ashtu, ai më herët ka mbaruar edhe një Master në Administrim të Biznesit (MBA) në Financa në Universitetin e Sheffield, në Mbretëri të Bashkuar.

Studimet themelore i ka përfunduar në Menaxhment dhe Informatikë në Unversitetin e Prishtinës. Zeqiri ka një sërë kualifikimesh profesionale me renome vendore dhe ndërkombëtare, si i çertifikuar si Auditor i Çertifikuar i Sektorit Publik nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, i Çertifikuar si Auditor i Brendshëm i Sektorit Publik nga Ministria e Financave në Kosovë. Ai po ashtu është anëtarë i plotë në CIPFA & CMI (U.K) – dy shoqata ndërkombëtare profesionale në fushën e menaxhimit, financave, kontabilitetit, auditimit, etj.

Evetari ka përvojë në pozita menaxhuese në fusha si menaxhim biznesi, operacione, konsulencë, menaxhim projektesh, auditim, financa, kontabilitet dhe prokurim. Zeqiri sjell një përvojë të pasur dhe diverse nga sektori publik, privat, i ndërmarrjeve publike, sektori financiar si dhe organizatave ndërkombëtare që punojnë në Kosovë. Ndër përvojat e ndryshme, ai ka punuar për disa vite në auditim të jashtëm tek Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë. Së fundmi ai ka punuar si menaxher financiar dhe i administratës në një kompani me bazë në Zvicër duke implementuar një projekt disa vjeçar në sektorin e ujrave.

Bordi i drejtorëve në një komunikatë për media, falënderoi Sabri Musiqin për shërbimin dhe kontributin e tij të çmuar deri më tani si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT. Musiqi rikthehet në pozitën e drejtorit të operimit të sistemit.

Exit mobile version