UBT News

​Eurodeputeti gjerman: BE duhet të mbajë premtimin për vizat, procesi i dialogut të ecë përpara urgjentisht

Eurodeputeti gjerman, Romeo Franz deklaroi sot se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin për vizat. Në një konferencë për media pas takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE-Kosovë, Franz theksoi urgjencën që nevojitet për përparimin e procesit të dialogut.

Eurodeputeti gjerman tha po ashtu se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë, derisa u shpreh optimist se qeveria do të përfshihet në mënyrë konstruktive në punën me opozitën që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“E di që po kërkojmë shumë nga ju. Ne jemi të vetëdijshëm që i takon BE-së dhe shteteve anëtare që të përmbushin premtimet e dhëna dhe që përfundimisht ta japin liberalizimin e vizave, që është tejzgjatur… Ne po punojmë fuqimisht që t’i bindim shtetet hezituese që ta ndërrojnë mendjen. Është çështje kohe që ato ta ndërrojnë mendimin. Kredibiliteti i BE-së është në pikën më të ulët për shkak të mosmbajtjes së premtimit”, tha Franz.

Ai apeloi për përfshirjen e grave në dialog, pasi një gjë të tillë e sheh si mjet kyç për sukses.

“Nuk ka rrugë tjetër për asnjërën palë. Procesi i dialogut në mënyrë urgjente duhet të ecë përpara. Duke ecur përpara, nënkuptohet që duhet shikuar drejt të ardhmes. Kjo nënkupton gjithashtu se duhet marrë parasysh të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash dhe të zbatohen ato. Pozicioni i BE-së është tepër i qartë në këtë pikë. Pa pasur progres në dialog, perspektiva evropiane për Kosovën dhe për Serbinë, do të mbetet vetëm një perspektivë. Për më tepër, jemi të bindur që përfshirja e grave në procesin e dialogut është një mjet kryesor dhe kyç për suksesin e tij… Ne besojmë që qeveria do të përfshihet në mënyrë konstruktive në punën me opozitën që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë sa më shpejt që kjo të jetë e mundur”, tha ai derisa shtoi se suksesi varet edhe nga niveli i transparencës dhe nga një diskutim i hapur me partnerët ndërkombëtar.

Edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve.

“Deklarata jonë e përbashkët e votuar sot nga Komisioni Parlamentar përsërit se ‘dialogu duhet të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve”, tha ajo.

Kusari-Lila kërkoi që lëvizja e lirë e qytetarëve të mbetet i ndarë me atë të zbatimit të MSA-së, pasi që siç tha ajo, Kosova është ngarkuar padrejtësisht me peshën për mosliberalizim të vizave.

“Në pjesën e marrëveshjes së MSA-së duhet intensifikuar përpjekjet tona si Kosovë për të arritur synimet në kuadër të pikave që janë të përfshira në marrëveshje. Kemi pasur një periudhë kohore të mbushur me zgjedhje, në dy vitet e fundit kemi pasur dy palë zgjedhje parlamentare, të cilat natyrisht se reflektojnë në ngecjet e kohë pas kohëshme. Megjithatë, tashmë është shprehur konfirmimi prej të dy palëve, në një përshpejtim të agjendës, por edhe të gjitha pikave që janë në MSA. Me theksin e veçantë, që procesin e liberlaizimit ta mbajmë të ndarë për arsye se konsiderojmë që padrejtësisht është ngarkuar pesha tek institucionet dhe qytetarët e Republikës, duke mos u liberalizuar përkundër që janë plotësuar kriteret vite më parë”, tha ajo.

Kusari – Lila foli edhe për mbarëvajtjen e takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE-Kosovë, për çka tha se këto dy ditë janë përcjellë me diskutime të frytshme.

Siç tha ajo, deklarata e përbashkët e miratuar sot mirëpret përkushtimin e Kosovës në rrugën evropiane.

Exit mobile version