Monedha e vetme e eurozonës u ul në nivelin më të ulët të pesë javëve kundrejt dollarit sot, ndërsa monedha amerikane arriti një nivel të ri pesë javor kundrejt një shporte rivalësh të mëdhenj.
Euro u vu nën presion të shtuar pasi Rusia njoftoi se do të shkurtonte furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 për tri ditë në fund të këtij muaji për shkak të punëve të mirëmbajtjes, duke përkeqësuar krizën energjetike në rajon.
Euro ra këtë mëngjes në tregtimin aziatik në vetëm 1,0026 dollarë, herën e parë që nga 15 korriku, pas së cilës u rikuperua lehtë në 1,0040 dollarë, sipas të dhënave më të fundit.
Presidenti i Bundesbank Joachim Nagel tha për gazetën Rheinische Post se ekonomia gjermane, e cila është më e ekspozuar ndaj ndërprerjeve në furnizimin me gaz rus, “ndoshta” do të hyjë në recesion gjatë dimrit nëse kriza energjetike vazhdon të thellohet.
Ai shtoi se pavarësisht nga një recesion gjithnjë e më i mundshëm në Gjermani, Banka Qendrore Evropiane duhet të vazhdojë të rrisë normat e interesit për të zbutur inflacionin.
Indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e dollarit kundrejt një shporte prej gjashtë monedhash kryesore botërore, u rrit sot në fillim të seancës aziatike në 108.26 pikë për herë të parë që nga 15 korriku, përpara se të binte në 108.12 pikë.
Dollari u rrit 2.33 për qind javën e kaluar, performanca e tij më e mirë javore që nga prilli 2020, pasi një numër në rritje i zyrtarëve të Rezervës Federale të ShBA (FED) mbronin vazhdimin e shtrëngimit të politikës monetare agresive për të frenuar inflacionin që po arrin rekord 40-vjeçar.
Funta britanike kishte një lëvizje të vogël dhe po tregtohej me 1,18325 dollarë, jo shumë larg nga niveli i ulët i tij pesë-javor prej 1,17925 dollarësh.